Blog

Mbi largimin e mbretëreshës dhe ardhjen e mbretit - Nga Rob Kore

Rob Kore - Toronto

Mbretëresha Elisabeth u largua. Është e natyrshme që të ketë reagime nga më të ndryshmet, por edhe më kontradiktoret, sepse e mira dhe e keqja tek njeriu ecin gjithmonë bashkë.

Natyrisht që në një ngjarje të madhe kështu duhet të jetë, sepse po të kishte mendim unik për figura të tilla do ishte një qëndrim “fake” dhe i komanduar. Gjithkush e shikon nga këndvështrime të ndryshme dhe çdo vend e sheh edhe nga interesat e tij. Këto këndvështrime dhe interesa e bëjnë interesant debatin.

Disa nga kundërshtitë që mund të ndeshësh në rrjete sociale dhe media këto ditë janë:

Për disa, mbretëresha vetë ishte një grua e respektuar, dinjitoze dhe fetare e mirë. Për të tjerë, ishte vjehrra mastermind që organizoi vrasjen e Dianës.

Për disa, mbretëria që ajo drejtoi për 70 vjet ishte një institucion, i cili unifikon dhe mban të bashkuar Anglinë. Për të tjerë, mbretëria është institucioni i cili ka kolonizuar dhe shfrytëzuar shumë vende të botës.

Për disa, ajo ishte kontribuese e paqes. Për disa të tjerë, ishte shkaktarja e shumë viktimave nëpër botë.

Për disa mbretëria është një institucion i vjetëruar dhe që jeton në luks me qindra milionat e taksapaguesve të Anglisë. Për disa të tjere, Buchkingam Palace është një e ardhur e madhe e turizmit në Angli.

Për disa, është dinjitet, art, klas i lartë dhe i rrethuar me xhevahire. Për disa të tjerë, është vjedhje xhevahiresh dhe veprash arti nëpër bote.

Për disa, është dinjitet njerëzor. Për disa të tjerë, mbretëria është një vend skandalesh shekspiriane.

Për disa, në ditën e vdekjes nuk mund të shash, ofendosh apo ta kritikosh atë. Për disa të tjerë, dita e vdekjes është dita më e përshtatshme për t’i kujtuar botës viktimat e Mbretërisë Britanike.

Për disa emigrantë shqiptarë ekziston shqetësimi përse tv-të shqiptare nuk transmetojnë vazhdimisht këto ditë lajme për mbretëreshën. Për disa shqiptarë në atdhe, tv-të shqiptare shqetësohen dhe transmetojne kaq shumë për mbretëreshën, në një kohë që rrugët e Shqipërisë mbulohen me gjak nga krimi dhe askush nuk bën analiza.

Dhe e fundit, mbretëresha nga disa shqiptarë u vu në foton e profilit, kurse për disa shqiptarë të tjerë, Mbretëria Britanike nuk ka qenë miqësore historikisht ndaj Shqipërisë.

E ndërsa të gjitha këto janë normale të diskutohen dhe debatohen, ajo që ne shqiptarët nuk e bëjmë mirë është se njëri grup e ka të vështirë të pranojë grupin tjetër si debatues, duke i përjashtuar ata me të parën. Natyrisht me disa përjashtime, kur këto fakte diskutohen normalisht.

Jordan Peterson ka thënë: “Gjithmonë personi që ke përballë mund të dijë disa fakte që ti nuk i di, prandaj bëhu një dëgjues i mirë”. Gjithashtu ka thënë: “Të mendosh është e vështirë, të gjykosh është e thjeshtë”. Dhe ne shpesh herë gjykojmë mesazherin dhe nuk merremi me mesazhin.

Sidoqoftë, le të urojmë Çarlin, i cili në moshën 73 vjeçare filloi punën për herë të parë, si mbret i Anglisë.

©Rob Kore