Blog

Amullia dhe pavendosmëria e opozitës: Çfarë po ndodh? - Nga Milaim Nela

Shohim konstatime, denoncime pa fund të krimeve të “Rilindjes”. Vazhdojnë foltoret dhe përsëriten të njëjtat gjëra dhe slogane, por nuk preket në plagë. Askush nuk po merret me thelbin e problemit që është: Shqipëria po sundohet dhe po zhbëhet me ritme eksponenciale nga një bandë që ka pushtetin pa votën e lirë të zgjedhësve shqiptarë.

Në çdo vend tjetër të planetit kjo klikë nuk do të lejohej të formonte qeveri pas datës 25 Prill 2021. Si e lejoni?

Partia Demokratike dhe opozita akoma nuk kanë dalë me qëndrim të qartë e të kthjellët ndaj legjitimitetit të kësaj shumice fallco.

A i njihni zgjedhjet e 25 Prillit 2021? Nëse jo, si do veproni?

E mirëkuptoj se lidershipi i PD-së ishte i kapur pas zgjedhjeve të Prillit. Po tani që PD është opozitë e pakapur çfarë ju pengon?

A besoni që një klikë që ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura do ta dorëzojë pushtetin me votë? A besoni se një klikë që e ka kriminalizuar çdo instancë të shtetit në nivele të papara ndonjëherë më parë do lëshojë karriget me votë?

Ka qëndrime krejt kontradiktore që kanë krijuar një amulli në popull. Kryetari i PD thotë një gjë, del nënkryetari pas dy ditësh e thotë krejt diçka tjetër.

Janë sulur veglat dhe gomistët e Jurit në media duke predikuar votën si alternativa e vetme e rrëzimit të mafias.

Në cilin vend të botës keni parë një shtet kaq të kriminalizuar dhe ku ndryshimi është bërë me votë? Ku?

Kur do të dalë PD me një qëndrim të qartë se si do veprohet? A është krijuar FSHSH (Fronti i Shpëtimit të Shqipërisë)? Nëse po, kush janë anëtarët e tij? Cila është platforma e FSHSH-së? Cila është platforma e FSHSH-së për rrëzimin e autarkisë rilindase dhe rikthimin e demokracisë?

Nëse besoni (larg qoftë), se ju do i imponoheni kësaj klike dhe do e rrezoni atë me vote, kur kjo e fundit ka një sistem perfekt patronazhistësh, që kanë fuqi, para dhe arrogancë më shumë se ai hetuesi dhe operativi i Sigurimit të Shtetit dikur, ju lutem na e thoni që të mbledhim mendjen edhe neve.

A keni bërë realisht një analizë se si janë marrë votat nga “Rilindja” që nga zgjedhjet e pjesshme në Korçë në vitin 2013? A ka akoma në PD njerëz që besojnë se “non-grata” ndaj Sali Berishës realisht është për “korrupsionin” e tij?

Më vjen për të vjellë kur eksponentë të lartë të PD ditë me radhë bënin avokatinë publike të një grupi mediatik që deri ditën sa u prishën në pazare ishte ortaku i “Rilindjes” dhe armik i fjalës së lirë.

Si është e mundur, që PD çirret për prishjen e pishinave të Irfanit kur ekranet e tij nuk i kishin dhënë asnjë minutë hapësirë mediatike prishjes se paligjshme talebaneske të banesave të qytetarëve në Astir e në zona të tjera të vendit?

Si është e mundur, që PD merret me gjoja financimin “rus” të lobimeve, kur është e qartë, që ai orkestrim ku ra viktimë ish-kryetari i PD, në fakt kishte synim shantazhimin e tij dhe goditjen e opozitës?

A vërtet besoni se ato para ishin ruse? A mendoni se rusëve iu kërcet për Lul Bashën kur ata kanë Ramën, vëllain e Vuçiçit?

Kthjellohuni o njerëz!

Eshtë i njëjti symim, i njëjti lobim si me “non-grata”, por me mjete të tjerë, pra goditja dhe zhbërja e PD.

Një altoparlant i “Rilindjes” nga Berlini u shpreh para dy ditësh në një TV prorilindas që PD duhet të nxirret jashtë ligjit. Këto shashka ai nuk i nxjerr me kokën e vet, por është pjesë e skenarit ogurzi që e pret PD nëse nuk reagohet.

Mos u habisni që Rama shumë shpejt të ndjekë shembullin e Erdoganit me gylenistët. Të mos ju duket ekzagjerim ky skenar.

Sipas meje në kushtet ekstreme ku ndodhet vendi, tani për tani duhet të kishte vetëm një objektiv:

Rrëzimi i kësaj bande me çdo mjet dhe krijimi i një qeverie teknicienësh, që do të përgatiste vendin për zgjedhje të lira të parakohshme, të përgjithshme dhe vendore. Kjo nuk është marrje e pushtetit me dhunë, siç e proklamojnë dashnorët e “votës së lirë”, por rrëzim i mafias për kthimin e demokracisë.

Ka një ndryshim thelbësor. Nuk rrëzohet me votë një pushtet që është marrë me mjete jodemokratike. Vëreni vath në vesh!

Të gjitha diskutimet e tjera janë krejt pa bukë dhe vetëm i japin oksigjen mafias.

Na tregoni kur ta ndani mendjen se une realisht nuk po kuptoj gjë.

©Milaim Nela