Blog

Mbresa dhe refleksione pas një udhëtimi në Shqipëri - Nga Hajro Çini

Shkova plot mall në Shqipëri, me dëshirën e plotë të takoj njerëzit dhe miqtë e mi. Në këtë aspekt unë ndjehem i plotësuar totalisht, edhe pse, e di, që disa miqve iu duk shumë e shkurtër koha që unë iu kushtova.

Ndërkohë, mbeta i trishtuar nga gjëndja kaotike që kalonte atdheu ynë. Skandalet qeveritare janë bërë aq shumë, kanë kaluar çdo cak, sa që edhe një mëndje totalisht e çmendur as që mund ta imagjinonte. Këta skandale, jo vetëm ishin të përditshëm, jo vetëm që ishin galopantë, por secili skandal që publikohej, ishte një krim makabër më vete.

E kuptova se pse çdo i ri apo e re që takova, e kishte mëndjen dhe planin e gatshëm për t’u larguar përfundimisht nga Shqipëria.

Nuk është hera e parë që Perëndimi zbaton skema të tilla nëpër botë. Në fillim të shekullit 20, pak pasi arabët i ngulën thikën pas shpine Perandorisë Osmane, që i kishte mbajtur nën çadrën e saj për afro 5 shekuj, në paqe dhe prosperitet, britanikët dhe francezët i mashtruan për të krijuar kombin arab.

Ka kaluar më shumë se një shekull dhe situata në botën arabe është për të vënë duart në kokë dhe gjaku arab ka po aq kohë që derdhet si të ishte ujë lumi. Pjesa më mendjehapur, më kozmopolite, më tolerante e kombit arab atë kohë ishte Palestina, e cila ka një histori mijëravjeçare. Bijë e Palestinës është edhe Shën Maria, nga e cila u shfaq në tokë dhe Jezusi, që pjesa dërrmuese e botës perëndimore e konsideron ose bir të Zotit ose edhe vetë Zot. Në fund të fundit, Jezusi ishte palestinez, të paktën nga nëna e tij.

Çfarë i bënë Palestinës? E shpopulluan, e shkatërruan dhe sot populli palestinez, nga gjiri i të cilit ka dalë një nga besimet më të mëdha të njerëzimit, është refugjat i përjetshëm. Druaj se atë lloj fati i ka planifikuar pjesa më e pashpirtë e botës.

Populli ynë duhet të nxjerrë mësime nga historia e përvuajtshme e Palestinës.

Megjithatë sado e pa shpresë duket gjendja në Shqipëri, unë besoj në vitalitetin e popullit tonë.

Takova atje edhe shumë politikanë të opozitës së vërtetë. Asnjë “rilindas” apo “opozitarë” të komanduar nga Rama apo Balla.

Gëzova privilegjin dhe nderin të takoj Dr. Berishën, mikun tim të vyer, politikanin më të arrirë të Shqipërisë dhe më të virtytshëm që Shqipëria ka.

“Ne i bëmë një dëm të jashtëzakonshëm vetes dhe kombit që e lejuam atë të largohej më 2013 - u shpreh një patriot shqiptar - sepse ai është i vetmi që mendon, vepron dhe arrin të ndërtojë shtet ligjor dhe të prosperuar”.

Fola gjatë dhe dola plot shpresë dhe entuziast nga ai takim.

Pak ditë më vonë takova edhe ish-presidentin Meta, me të cilin shkëmbyem mendime për situatën dhe hapat që duhen marrë që situata të ndryshojë.

Të dy politikanët kryesorë të opozitës mendonin se shteti ka rënë plotësisht dhe asnjë shtyllë e shtetin nuk funksionon. Të dy mendonin se vetëm ne shqiptarët e kemi në dorë ta shpëtojmë kombin dhe askush tjetër. Të dy shpresonin se Diaspora do të japë ndihmesën e saj të pakursyer.

Shqipëria lëngon nën disa pushtime njëkohësisht. Ishte pak a shumë një një situatë e ngjashme me Luftën e Parë Botërore, kur Shqipëria ishte shesh lufte për pothuajse të gjitha ushtritë ndërluftuese.

Jugun e dominon Greqia. Konsujt grekë janë të plotfuqishëm dhe administrata zyrtare, gjykatat dhe prokuroritë dukej se ishin totalisht nën kontrollin grek.

E gjithë Shqipëria është nën terrorin e krimit të organizuar, i cili ka nën thundër edhe qeverinë shqiptare, apo është direkt pjesë e saj.

Për fat të keq Shqipëria është edhe nën pushtimin amerikan.

Yuri Kim, që paguhet nga Departamenti i Shtetit i SHBA si ambasadore, nuk njeh asnjë lloj kufiri dhe çdo ditë dhunon sovranitetin e Shqipërisë si dhe shkel Konventën e Vjenës, veçanërisht nenet 41 dhe 42, duke uzurpuar edhe një post ilegal, atë të guvernatores së një vendi të pushtuar.

Kundër saj duhet ngritur një proçes penal në Hagë. Gjyqi i Nurembergut, ku Ribentropi u dënua me varje, mund të përdoret si precedent. Akuzua kundër tij ishte për konspiracion kundër Polonisë, edhe pse ajo pjesë e Polonisë ku gjermanët hynë ishte tokë prusiane.

Veç bashkëpunimit të plotë me krimin e organizuar, Yuri Kim është edhe shumë e korruptuar dhe më amorale se ish-ambasadori Limpreht. Turp për cilindo që e mban ende në detyrë!

Që në rininë time të gjimnazit e deri në vitin 1996, kam qën proamerikan deri në marrëzi, por qysh nga 1997 dhe më pas 2015, kur SHBA na shkatërroi rendin kushtetues për llogari të krimit të organizuar, unë ndjehem i zhgënjyer.

Çuditem me veten se pse kisha aq shumë besim tek SHBA dhe me vjen për të qeshur kur dëgjoj akoma ta konsiderojnë SHBA aleat strategjik.

Unë nuk e besoj se SHBA kanë ndonjë aleat strategjik dhe sipas Kisingerit, sa më aleat të jesh me to, aq më shumë je i rrezikuar.

Aleanca strategjike zakonisht konsiderohen ato që i kanë rezistuar kohës me shekuj. SHBA nuk kanë ndonjë shtet me të cilin kanë pasur aleanca shekullore.

SHBA nuk e kanë aleat strategjik kombin shqiptar, ndërsa ne shqiptarët kemi një armik strategjik, Rusinë, e cila ka më shumë se një shekull që rrezikon interesat tona kombëtare dhe për rrjedhojë ne kemi nevojë për SHBA, si kundërpesha më e sigurtë ndaj agresivitetit rus.

Që nga vitet 80 të shekullit të kaluar, nuk kanë qënë të paktë politikanë Republikanë, të cilët kanë ngritur zërin fuqishëm për Kosovën dhe pas rënies së Komunizmit, ndihmuan Shqipërinë të hynte në NATO. Më të shquarit ishin presidentët Bush, apo senatorët Republikanë Bob Dole, Benjamin Gillman, John McCain, etj. Ndërkohë, kur në Shtëpinë e Bardhë janë Demokratët, ata organizojnë 1997, apo 2015 etj. Shkurt, SHBA nuk mund të konsiderohen aleat strategjik dhe shpresa tek SHBA është e dëmshme.

Shqipëria ka Gjermaninë aleat strategjik dhe kur është mirë Gjermania edhe kombi shqiptar sheh progres kombëtar. Pasi ndërtoi shtetet e Sllovenisë dhe Kroacisë dhe i anëtarësoi në BE dhe NATO, ishte Gjermania që ndihmoi edhe Kosovën që të pastronte, me një efiçencë alla-gjermane, politikën e saj. Prej muajsh krimi i organizuar që e kishte mbytur plotësisht dhe po e copëtonte Kosovën, është në paraburgim. E gjithë pjesa e korruptuar e politikës kosovare është pa pushtet politik dhe qeveria Kurti po nxjerr ligje për ta çrrënjosur korrupsionin.

Asnjë UÇK-ist nuk kishte pasuri para 1999 dhe askush nuk mund të pasurohet vetëm pse ka luftuar, me mbështetjen e fuqishme të NATO-s, për disa muaj. Është turp shumë i madh për Haradinajn, i shquar në luftë, që të pasurohej me pushtetin që mori pas lufte.

Unë shpresoj se vëmendja gjermane tani do të jetë në Shqipëri dhe do të jetë shumë e mirëpritur, por sidoqoftë, problemin e Shqipërisë dhe shqiptarëve duhet në radhë të parë ta marrin në duart e tyre vetë shqiptarët. Dhe pasi të çlirohemi nga pushtimi amerikan që bashkëqeveris me krimin e organizuar, Shqipëria  duhet të nxjerrë një ligj që çdo antar parlamenti që thirret nga një ambasadë të njoftojë me shkrim Kryetarin e Parlamentit dhe Presidentin, të shkojë në biseda i shoqëruar me një oficer të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe një nga Ministria e Jashtme, si dhe biseda me Ambasadën të jetë e inçizuar. Cilido që e shkel këtë ligj duhet të humbasë statusin e deputetit.

Shqipëria duhet të rifitojë sovranitetin siç e gëzoi nga tetori 1943 e deri më 28 nëntor 1944, më i madhi që kombi shqiptar ka gëzuar që nga koha e Pirros. Shoqëria shqiptare duhet të emancipohet, të njohë mirë historinë e etnisë tonë se vetë njohja e historisë ia largon mjegullën për të kuptuar politikën.

E Majta shqiptare duhet të distancohet prerazi nga PKSH (PPSH, PS apo “Rilindja”) si një organizatë terroriste antishqiptare e krijuar nga Beogradi, për të shkatërruar nga brenda kombin shqiptar, si dhe ti rikthehet vlerave tona tradicionale të nderit, besës, mikpritjes dhe atdhedashurisë, që ne shfaqëm në fillim të shekullit 20.

©Hajro Çini

Tagged under Flasshqip.ca Hajro Cini