Blog

Ambasadorë të atrofizuar - Nga Shaban Murati

Një ambasador amerikan në Stokholm, duke më shpjeguar përse SHBA ka përcaktuar me ligj mandatin e ambasadorëve amerikanë në vendet e tjera vetëm tre vjet, më tha arsyen: “Pas tre vitesh shërbim, ambasadori bie në dashuri me vendin, ku është akredituar dhe harron vendin e vet”.

Çfarë mund të themi për ambasadorët e tanishëm të Shqipërisë, shumica e të cilëve kanë 8, 9 dhe 10 vjet, që janë në poste pa lëvizur nga shtetet ku janë akredituar?

Shumica e ambasadorëve po bëjnë mandatin e tyre të tretë politik njësoj sa qeveria aktuale. Është shkelur nga qeveria Ligji për Shërbimin e Jashtëm me të katër këmbët. Në rastin më tolerant mund të thuhet se ambasadorët janë atrofizuar.

Për sa i përket rënies në dashuri me vendin ku janë akredituar, kjo është plotësisht e vërtetë. Një ambasador i Shqipërisë në Greqi, të cilit i kishte mbaruar ligjërisht mandati, dilte rregullisht çdo muaj nëpër mediat greke dhe mbronte qëndrimin e Greqisë në të ashtuquajturën çështje të detit.

Unë kam qenë drejtor dhe anëtar kolegjumi në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe kur diskutonim çështjet e Lindjes së Mesme, ambasadori ynë në Izrael mbronte qëndrimin izraelit dhe ambasadori ynë në Arabinë Saudite mbronte qëndrimin arab.

Pas 8, 9 dhe 10 vitesh të qëndrimit të tyre në shtetet ku janë akredituar, ambasadorët e Shqipërisë janë kthyer thjesht në postierë. Atyre u është harruar emri.

E thënë shqip: Shqipëria realisht nuk ka as ambasadorë dhe as diplomaci.

©Flasshqip.ca