Blog

Refleksione kujtimesh për brezin e lindur pas viteve ’80 - Nga Kostandin Ristani

I.

SPAK - Rilindja e Grupeve të Kontrollit Punëtor të krijuara nga diktatori Hoxha për të mbrojtur veten e tij dhe "pastërtinë" e vijës politike dhe ekonomike të falimentuar te PPSH nën udheheqjen e tij.

Ky lloj linçimi e terrori publik nuk është aspak i ri dhe i panjohur. Sipas formimit tim historik, kjo veprimtari fillon me shekujt e errët të inkuizicionit terrorist të shoqëruar me tortura çnjerëzore barbare, djegie në turra drush, varje dhe ekzekutime mbi heshta mbi hunj, thyerje e shpërbërje trupi e skeleti njerëzish në rrota me dhëmbë apo të tërhequr në drejtime të kundërta nga qerre e karoca kuajsh e shumë vrasje e ekzekutime të tjera barbare të dokumentuara në historinë e inkuizicionit mesjetar.

Grupet e Kontrollit Punëtor të diktatorit Hoxha ishin një përshtatje në kushte historike e sociale të tjera e të njejtës metodë kriminale të gjykimit dhe dënimit njerëzor nga jezuitizmi katolik mesjetar, por nëpërmjet hetimesh skandaloze nga punëtorë e informatorë krejtësisht injorantë të udhehequr e drejtuar nga kuadro partie djallëzorë po aq injorantë, që nuk kishin aspak idenë e komunizmit marksist por vetëm demagogjinë komuniste e gjoja marksiste të diktatorit Hoxha.

Sipas vëzhgimit dhe peshimit tim personal, qëllimi i SPAK-ut, është pak a shumë i njejtë, por kësaj here për të mbrojtur veten dhe zhvillimet politike e ekonomike të korruptuara e të degjeneruara të kastës udheheqëse e qeverisëse në vitet e iluzioneve demokratike, me ndihmën e përkrahjen e këshilltarëve dhe aparatçikëve perëndimorë që servirin një ide të vjetër e zbatim të dështuar, me propagandën e megallomanisë gjoja krijuese te mediokracisë perëndimore.

Stili, publiciteti, metodat dhe mënyra e veprimtarisë së SPAK-ut janë nje shkelje flagrante dhe absurde e Kartës së të Drejtave të Njeriut nga po ata emisarë të Demokracisë Perëndimore që ideuan, urdhëruan e nxitën këtë farsë teatralo-estradore në mjedisin politiko-propagandistik shqiptar. Më tej, këta diplomatë e këshilltarë te paskrupullt, me këtë këshillim të poshtër i hoqën gurin e fundit sistemit gjyqësor e të drejtësisë në shtetin shqiptar tashmë të shkaterruar plotësisht.

Në Shqipëri këta të huaj nuk po punojnë aspak për shtetin e sundimit të ligjit - rule of law - por për shkatërrimin e këtij sundimi që nuk filloi dot asnjëherë që nga shembja e punizmit. Këta të huaj po kontibuojnë me dashje apo pa dashje në sundimin e korrupsionit e të të korruptuarve në shtetin shqiptar dhe në sistemin politik qeverisës në Shqipëri, po ashtu siç nuk ishin në gjendje apo nuk deshën të ndërtonin demokracitë e modelit perëndimor në Afganistan, Irak, Libi, Liban etj. së fundi në kujtesën e afërt historike.

©Kostandin Ristani