Blog

30 vjet më parë, ne ishim në të njëjtën pozitë si iranianët - Nga Arben Kallamata

Arben Kallamata - Mississauga, Ontario

Në 13 shtator 2022, Mahsa Amini, një vajzë e re nga qyteti kurd Saqez në veri të Iranit, dilte me të vëllanë nga stacioni i trenit në Teheran kur u arrestua nga Policia e Moralit.

Akuza : mbante veshur pantallona të ngushta, ndërsa shamia nuk ia mbulonte plotësisht flokët.

Dy të rinjtë u përpoqën t’u shpjegonin policëve se nuk i dinin rregullat e kryeqytetit. Më kot. Policët e futën vajzën dhunshëm në një furgon, e rrahën mizorisht aq sa i thyen edhe kafkën dhe kur i vëllai mbërriti në stacionin e policisë ishte tepër vonë. Mahsa ishte në gjendje kome. Tre ditë më pas, në 22 shtator vajza vdiq në spital.

Që atë ditë gratë, dhe veçanërisht vajzat e reja në të gjithë Iranin kanë dalë në protesta të fuqishme kundër diktaturës islamike të Iranit. Simboli i protestave është bërë përsëri heqja demonstrative e mbulimit të kokës. Një popull me tradita të lashta kulturore po përpiqet përsëri të dalë nga kthetrat e një prej regjimeve më brutalë dhe më të shëmtuar të kohës, teokracisë iraniane.

Të shpresojmë që lëvizja e Iranianëve drejt lirisë, kësaj rradhe të jetë e pakthyeshme, duke mos harruar se më pak se tridhjetë vjet më parë ne ishim në të njëjtën pozitë.

©Arben Kallamata

Foto: Ozan Kose/AFP - Getty Images