At Zef Pllumi dhe Ibrahim Rugova për Kadarenë - Nga Ndue Ukaj

Ndue Ukaj
Tash e sa vjet e përcjell me një lloj brenge shpirtërore zallahinë që bëhet kundër shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadaresë, sidomos gjatë periudhës kur Akademia Suedeze jep Çmimin Nobel për Letërsi.
Me Çmimin Nobel apo jo - vepra e Kadaresë shndrit dhe rri dinjitetshëm në piedestalin e vlerave letrare më të fisme botërore, aty ku s’depërtohet përmes standardeve të klaneve që zhvillohen kafeneve ku turfullohet e llafoset kundër gjithsecilit, por në saje talentit të jashtëzakonshëm letrar, të cilin Kadareja e zotëron dhe me të ka shkruar vepra mahnitëse.
Çmimi Nobel për Letërsi, Kadarenë s'e bën shkrimtar më të madh e as më të vogël, siç s'i ka bërë shumë të tjerë që e kanë marrë ose s'e kanë marrë.
Ai qëmoti është shkrimtar i madh dhe i njohur përbotshëm. Dhe këtë vend meritor ia ka dhënë vepra e tij magjike letrare që josh lexues të pafund anë e kënd botës.
Kadarenë dhe veprën e tij e mbajnë lart një perandori e madhe lexuesish që e duan dhe e vlerësojnë anë e kënd botës.
Kjo fushatë e përdalë dhe qyqare ndër ne më shumë e dëmton shëndetin e shoqërisë sonë se shkrimtarin. Ajo është e dëmshme për të tashmen dhe të ardhmen.
Për Ismail Kadarenë dhe veprën e tij kanë shkruar shkrimtarë dhe mendje brilante botërore, për të është thënë se është "titan i letërsisë, se është luani i letërsisë shqipe me një reputacion ndërkombëtar, se është zëri i Shqipërisë moderne dhe këngëtari i identitetit të lashtë, se Kadare ka mundur të shkruajë një art kaq të rafinuar dhe kaq të lirë shpirtërisht nën regjimin famëkeq, shtypës dhe ksenofob të Hoxhës, se ai ka shpëtuar identitetin shqiptar në kohën kur Hoxha donte ta shkatërronte, se ai ka luftuar me mjetin më fisnik që mund të përdorë një njeri, artin, kundër izolimit shpirtëror që zemërngushtësia e një klike të çmendur u kishte imponuar shqiptarëve", por në këtë zallahi dhe fushatë të përdalë që bëhet kundër tij, dua të sjell në vëmendje mendimet e dy figurave të mëdha të kulturës shqiptare, të At Zef Pllumit e Ibrahim Rugovës.
Ibrahim Rugova në tekstin “Një mbrëmje me Kadarenë” shkroi: “Kadare përgjigjet për çështje më të rëndësishme e të ndërlikuara, pa komplekse inferioriteti dhe pa imponim autoriteti. Sepse ai sot është një nga autoritetet më të mëdhenj të letërsisë sonë edhe në raportet ndërkombëtare... Prandaj mund të thuhet se Kadare është shkrimtar, apo thënë më mirë, intelektual me kulturë të gjerë e me vrojtim të thellë. Është në rrjedhën e kohës, i çliruar nga kompleksi i metropoleve, sepse ekziston nëpër metropole.”
Kurse At Zef Pllumi, duke vlerësuar veprën e tij ndër të tjera shkroi: “Historia jonë është një histori llogoresh e sot me i madhi luftëtar në mbrojtje të kulturës, identitetit dhe integrimit evropian të shqiptarëve, është Ismail Kadareja, e unë gjendem krah për krah tij në ato llogore.”
E, në një rast tjetër, Pllumi i pyetur - cili është libri i fundit që i ka pëlqyer, përgjigjet: "Çështje të marrëzisë".
Nëse Zef Pllumi s'ka hedhur gurë mbi Kadarenë, por e ka admiruar, s'di kush është ai që mund të thirret në të shkuarën për të hedhur gurë mbi Kadarenë.
©Ndue Ukaj




















