Erioni duhet të qarkullojë! – Nga Parid Turdiu
Për Bashkinë e Tiranës unë nuk do shoh nëse një kandidat është i pozitës apo opozitës, por çfarë programi ka.
Erioni duhet të qarkullojë!
Nuk kam asgjë personale me Erionin. Nuk më ka bërë mua personalisht ndonjë gjë të keqe. Mësuesit e Sami Frashërit thonë se ishte inteligjent. Është punëmbaruar, nuk është aspak dembel. Marketingun e bën shumë mirë. Ka orientim të natyrshëm leftist e kolektivist; mendon për të pastrehët dhe gjelbërimin.
Problemin e kam me demokracinë shqiptare.
Duhet rrotacion demokratik. Ata që qëndrojnë shumë kohë në një post lëshojnë rrënjë korrupsioni e favoritizmi.
Erioni nuk e mbajti premtimin për mos-betonimin e qytetit.
Një politikan i demokracisë që nuk i mban premtimet elektorale duhet të ndëshkohet nga votuesi, përndryshe zgjedhjet nuk kanë kuptim.
Nuk mbajti premtimin për sigurinë e furnizimit me ujë.
Obsesioni i Erionit për të theksuar aspektin "rinor" të qytetit ka lënë mbrapa familjet.
Qyteti nuk është “family-friendly”. Një shembull i mirë për këtë është ndotja akustike: 5 të rinj në shesh dhe nuk flemë dot në mes të natës nga muzika shurdhuese që Erioni vë aty për të krijuar iluzionin rinor.
Mjaft më "rinia, rinia". FAMILJA!
Erioni nuk ka treguar konsideratë për Tiranën autoktone. Shtëpitë e mëdha të Toptanëve-ekzemplarë të rrallë të arkitekturës së vjetër, janë braktisur e po shemben.
Lagjet e vjetra të Tiranës kanë ngelur pa mirëmbajtje e restaurim.
Erioni sakrifikon monumentet për hir të interesave të oligarkëve. Nuk respektoi dëshirën e fuqishme të popullit për ta ruajtur Teatrin, as procesin e Gjykatës Kushtetuese, por nxorri patjetër të vetën duke e shembur.
Erjoni është tepër servil ndaj kryeministrit, ndërkohë që duhet një tension kreativ ndërmjet bashkisë e qeverisë, jo familjaritet i sëmurë.
Në shumë raste kjo bashki nuk zbaton ligjin, madje shkel aktivisht ligjin, gjithmonë në favor të oligarkëve, kundër qytetarëve.
Bashkia ka lejuar një abuzim të paparë, një grabitje të hapësirës ajrore, në rastin e kullave 60-katëshe.
Ajri dhe nëntoka janë të pronarit të truallit deri në një farë lartësie e thellësie. Më lart e më thellë i takojnë të gjithë popullit. Kjo bashki, me lejet e ndërtimit pa kriter ligjor, ua dhuron këtë pasuri kolosale individëve të përkëdhelur.
Mbetet ende i hapur skandali i inceneratorëve...
©Parid Turdiu



















