Luftës i dihet vetëm fillimi - Nga Çapajev Gjokutaj
Çdo ditë e më shumë po përmendet mundësia që Putini të përdorë armë atomike në Ukrainë.
Dje AFP njoftonte se ministri rus i Mbrojtjes bisedoi me homologun e tij britanik, pasi ditët e fundit kishte bërë të njejtën gjë me homologët francezë e turq.
Telefonatat e këtyre niveleve në kohë lufte mund të shihen si shenjë e mirë: po kërkohet rrugëdalje nëpërmjet bisedimesh.
Por Carl Bildt, i njohur për mprehtësi, intuitë dhe mirëinformim, dyshonte se Kremlini, nëpërmjet këtyre bisedave synon përgatitje politike për përdorimin e armëve bërthamore.
Po dje Zelenski i thoshte nje televizioni kanadez se Perëndimi duhet të paralajmërojë Moskën: nëse ndërmerr një sulm bërthamor mbi selinë e qeverisë ukrainase në Kiev, atëherë brenda pak çastesh Kremlini do të ketë të njëjtin fat.
Shumë gjëra të kujtojnë krizën e raketave në Kubë më 1962, kur bota u gjend buzë përleshjes bërthamore, por nuk mungojnë zërat që thonë se rreziku i tanishëm është më i madh.
Jemi rritur nën hijen ogurzezë të kërpudhave atomike në Hiroshima e Nagasaki, por me besimin se bota qysh nga ajo kohë kishte vënë mend dhe e mbante vath në vesh parashikimin e Ajshtajnit: Nuk e di me ç’armë do luftohet në Luftën e Tretë Botërore, por jam i sigurt se në të katërtën do të luftohet me shkopinj dhe gurë.
Thonë që, edhe po pati një sulm bërthamor nga Rusia, do të përdoren armë taktike me rreze të shkurtër veprimi, medemek do e pësojnë ukrainasit, po bota nuk rrezikohet.
Harrohet se luftës i dihet vetëm fillimi. Fundin arrijnë t’ia shohin vetëm të vdekurit, thonë se thoshte Platoni.
©Çapajev Gjokutaj



















