Vendimi për targat dhe Kosova - Nga Xhevdet Nasufi
Kosova dhe shqiptarët me shekuj janë munduar, denigruar, syrgjynosur, vrarë dhe gjenociduar për shtetin e pavarur. Si i burgosur politik, e kam kuptuar mirë këtë sistem inkriminues serb, mu ashtu si shumë gjenerata të tjera. Vendimi i Kosovës për të mos e shtyrë afatin e ndryshimit të targave të vjetra konform rregullave shtetërore të Kosovës, sa është i drejtë dhe në përputhje me shtetësinë, është edhe në mosmarëveshje me mikun që nuk ka alternativë. Akti për të mos e shtyrë afatin e konvertimit të targave ka mjaft kohezion me shtetin e Kosovës, por ka edhe mosmarveshje me Amerikën, që realisht ka mjaft autorësi për pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, për sigurinë e saj (do sugjeroja për këtë të kujtojmë deklaraten e Presidentit Bush, por më parë kujtimet e Wesley Clark, komandantit të NATO-s gjatë sulmeve ajrore kundër Serbisë).
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për 1 nëntorin, në sensin politik-kombëtar, është ndjesi kulmore shtetërore, ama në interpretimin pragmatik, mungesë e ndjesisë për gjeostrategjinë përëndimore, veçmas SHBA, me të cilët Kosova domosdoshëm duhet t’i marrë së bashku të gjitha vendimet e mëdha me Serbinë.
Kuptohet, shqiptarët shqetësohen ndjeshëm për mosmarrveshje të politikanëve të tyre me SHBA. Paralel me këtë, fakt është edhe konstatimi: SHBA marëdhëniet strategjike, përfshi edhe ato me shqiptarët, nuk i ndërtojnë në bazë të precedentëve, por perkushtimit plebishitar qytetar. Andaj, kjo histori mosmarrveshje nuk duhet të alarmohet skajshëm, apo të ngrihet panik joreal. Sidoqoftë, në konsideratë të të thënmes, nganjëherë më mençuri është të përmirsohet edhe diçka e mirë, sesa të efektojë e njejta dëmshëm.
Pas gjithë kësaj historie bardh e zi, duhet konstatuar se në veçanti Europa edhe më intensivisht po e ledhaton Serbinë. Është e patolerueshme që në Ballkanin e trazuar edhe në këtë kohë, të tolerohen veprimet antikosovare, antiballkanase dhe antiperëndimore të Serbisë. Kjo qartë u vërejt edhe nga mbledhja e fundit e Këshillit për Siguri të Serbisë, kur u dëgjuan kërcënime të hapura kundër Kosovës dhe integritetit të saj, ama edhe kundërshti e hapur ndaj Perëndimit e politikave strategjike të tij.
©Xhevdet Nasufi





















