Ajo çka ishte më e poshtër në atë skenë mizore - Nga Ylli Pango
…Pa dyshim e poshtër ishte gjithçka i bënte të moshuarës së sëmurë me Alzheimer, në azilin e pleqve në Pejë, ajo femër e keqe, kinse e kuruar (e kallangjosur) në surrat…
Po ndër gjithë ligësitë njerëzore, më e ndyra ishte sidomos kënaqësia që shprehte në fytyrë ajo këllirë, tek godiste një qënie të pambrojtur. Ligësia pa fre, që me ato duar e këmbë mizore, katile, po bullizonte, poshtëronte, torturonte një shpirt të gjorë… (dhe spektatoret përreth që bënin sehir… një poshtërsi më vete kjo).
Kjo ngjarje u bë vetëtimthi e urryer në tërë botën shqiptare e më gjerë ndofta. Tej mase e urryer, sepse secilit automatikisht pa tjeter do i jetë shfaqur nëna a baba, a gjyshërit, a fantazmat e tyre të përçudnuara nga duar mizore. Madje dhe fëmijët në kopshte, shkolla, lagje, na janë shfaqur… Të bullizuar nga fëmijë më të rritur a më të fortë bullistë, a ca më keq, nga “edukatore” bulliste. Në mos mizore a sadiste…
Mua mu kujtua ime më, që tre vjet të fundit u kalb në shtrat e vuajti… Por me njerëzit e dashur pranë e me duart tona të përkujdesura, e me infermiere te koka ditë e natë (iku e qetë). Mos o Zot të kish pasur një fat të tillë! Ka jo pak nëna që e kanë…
Mua m’u kujtua dhe djali i vogël në çerdhe dhe përfytyrova ndonjë bullist të vogël a ndonjë të madhe mizore atje e mu ngjeth mishi. Ruajna Zot… nga vetja… se nuk dimë ç’do u kishim bërë…
Mua m’u kujtuan nga historia e nga Sot-i, gjithë mizoritë që mund t’i bëjë njeriu njeriut. Më të rënda se ato që të bën papërgjegjshmërisht ndofta Natyra… A si dënim Perëndia.
Se njeriu ndryshe nga këta, ka trurin, shpirtin, d.m.th. dhe pashpirtësinë…
Ndofta do mëshiruar, do thotë dikush, ajo femër që torturoi qoftë edhe me shpulla e shkelma ndofta jo të forte (do thotë me gjasë, avokati i saj në gjyq). Jo të fortë… por mizorë në rrënjën, subkoshiencën a jo-koshiencën e tyre barbare… ligësinë e tyre
Shumë zor do ta ketë jetën ndofta ajo femër pas kësaj. Sepse qëllon nganjëherë që tek një ngjarje, skenë, personazh, si kjo, të mpikset a përfytyrohet e të vjen ndër mend, tërë ligësia njerëzore… E bëhet fort e zorshme pas kësaj… Kësaj të keqeje përballë së cilës vihet gjithë mirësia e pashkulshme, humanizmi shekullor njerëzor… ndërgjegja e vrarë e sojit, rodit tonë… Ajo që na mban gjallë e ruan humanizmin e me të, vijimësinë e racës tonë njerëzore.
©Ylli Pango





















