Blog

Sipërmarrësi amerikan... - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

...kështu titullohet një shkrim hulumtues i revistës së pavarur serbe “Vreme”, i botuar më 18 nëntor 2010, pra si sot para 12 vitesh. Autore e tekstit është gazetarja e njohur Jovana Gligorijeviç, e cila është shquar edhe si kritike e fushatave antishqiptare të establishmentit medial dhe politik të Beogradit.

Sipërmarrësi amerikan është William Montgomery, ambasadori i fundit i SHBA në Jugosllavinë e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi. Ai shërbeu në Beograd mes nëntorit të vitit 2000 dhe shkurtit 2004. Kjo ishte një periudhë vendimtare në politikën serbe. Katër javë para se Montgomery të merrte postin e ambasadorit, ishte rrëzuar nga pushteti Sllobodan Millosheviçi. Më 11 mars 2003 ishte vrarë kryeministri properëndimor serb Zoran Xhinxhiç.

Pas largimit nga posti i ambasadorit në vitin 2004, Montgomery nisi të kultivojë raporte të ngushta me palë të dyshimta apo të diskutueshme dhe të mbajë miqësi me figura kontraverse të rajonit.

Në një intervistë dhënë një gazete bulevardeske serbe, Montgomery më 2010 tha se vrasja e Zoran Xhinxhiçit nuk ka prapavijë politike. Kjo ishte një deklaratë e çuditshme, pasi vrasësit e Xhinxhiçit dhe përkrahësit e tyre janë të gjithë persona nga politika dhe strukturat e sigurisë të Serbisë, shumica me lidhje të ngushta me Rusinë.

Pas intervistës, Montgomery mori pjesë në festimin e përvjetorit të dytë të themelimit të Partisë Përparimtare Serbe (Srpska Napredna Stranka), e drejtuar nga Tomislav Nikoliçi dhe Aleksandër Vuçiçi pas largimit të tyre nga Partia Radikale e Vojisllav Sheshelit.

Sipas revistës “Vreme”, Montgomery që në vitin 2007, në kolumnen e tij “Shikim nga Cavtati” (Cavtati është qytet kroat afër Dubrovnikut), i lavdëroi radikalët e Sheshelit duke konstatuar se ata “në shtatë vitet e fundit pak a shumë janë sjellë në mënyrë demokratike”. Një lëvdatë shumë e çuditshme për një parti raciste e ultranacionaliste të prirë nga një kriminel lufte.

Në një intervistë për gazetën “Danas” më 25 tetor 2010, Montgomery u angazhua për ndarjen e Bosnjës, pastaj për një televizion të Sarajevës tha se “shpërbërja e Bosnjë-Hercegovinës është e pashmangshme”.

Më 2006 bashkëshortja e Montgomery-t u emërua “dekane e Akademisë për diplomaci dhe siguri” në Beograd. Pronar i kësaj “akademie” është Orhan Dragash, i lindur në Prizren, i cili nga mediat serbe citohet si “ekspert i sigurisë”. Kombet e Bashkuara e patën akuzuar Orhan Dragashin për shkelje të embargos kundër Liberisë duke kontrabanduar armë.

Dragash në pranverë të vitit 2019 ka deklaruar se ndryshimi i kufijve të Kosovës është zgjidhja e vetme reale duke theksuar se kjo ide nuk është e imponuar nga jashtë, duke aluduar se autorët e idesë gjenden në Beograd dhe Prishtinë.

Montgomery, ndërkaq, nga pozita e ish-ambasadorit amerikan në Beograd ka theksuar se bombardimi i Serbisë më 1999 ka qenë gabim dhe se realiteti që u krijua pastaj “ishte i ndryshëm nga ai që dëshironte Washingtoni zyrtar”. Ky është interpretimi i tij.

Pas sulmit rus kundër Ukrainës, Montgomery deklaroi se është ironike që Kosova iu mor Serbisë me dhunë dhe kundër Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Por ne po e mbrojmë Ukrainën për shkak se Rusia po provon të bëjë të njëjtën gjë në Ukrainë (si Perëndimi në Kosovë)”.

Këso gjepurash proruse dhe proserbe flet Montgomery. Siç shkruante “Vreme” më 2010 për të kuptuar (jo mirëkuptuar) deklaratat e Montgomery-t duhet ndjekur gjurmët e parave.

Një ndër kapitujt më interesantë dhe më të errët të biografisë diplomatike të Montgomery-t është miqësia e tij me Ivo Pukaniçin, pronar i revistës kroate “Nacional”. Sipas hulumtimeve të revistës “Vreme”, Montgomery për të penguar pavarësinë e Malit të Zi filloi ta furnizojë Pukaniçin me informata delikate mbi përfshirjen e liderit malazez Milo Gjukanoviç në tregti me cigare. Njëkohësisht në një fejton të “Nacional” të Zagrebit për përzierje në tregti ilegale me cigare u akuzua edhe Zoran Xhinxhiçi. Ivo Pukaniç u vra në tetor të vitit 2008 në Zagreb.

Sipas “Vreme” akuzat e Montgomery-t kundër Gjukanoviçit dhe Xhinxhiçit nga Beogradi në Zagreb i barti diplomati amerikan Gabriel Escobar. Qëllimi i diskreditimit të Gjukanoviçit ishte pengimi i shpërbërjes së Jugosllavisë të përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi. Para dy dekadave Escobar ishte vartës i Montgomery-t. Tani ai ushtron një funksion tjetër: është i ngarkuar për Ballkanin i Departamentit të Shtetit, me fokus në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë…

©Enver Robelli