Blog

Jam mirënjohës - Nga Endrit Mullisi

Jam mirënjohës në këtë sezon për shumë njerëz dhe po i vendos jo në radhë rëndësie. Jam mirënjohës për ata që përpiqen të thonë të vërtetën dhe kur rrotull kanë frikacakë dhe hipokritë. Këta kanë zgjuar të vërtetin brenda meje dhe më kanë ofruar të përfytyroj të jetuarit e një jete me vërtetësi.

Jam mirënjohës për ata që çdo ditë bëjnë të mira në dukje të vogla dhe shpesh të padukshme për sytë që kërkojnë “breaking news”. Këta më ftojnë të veproj të bëj të mirën që kam mundësi dhe jo të justifikohem që nuk bëj dot vepra të mëdha.

Jam mirënjohës për çdo çift që vendosin të kenë fëmijë në këtë botë me shumë pasiguri dhe të rrethuar me kaq egoizëm. Urdhëri i Shenjtë që nga fillimi është që të shumohemi dhe të përhapim dominimin hyjnor përmes pasardhësve tanë.

Jam mirënjohës për çdo funksionar dhe shërbyes civil që përpiqet për të mirën e të tjerëve. Lutem që zemërmirët që zënë pozicione të tilla dhe të zëvendësojnë karrieristët dhe të korruptuarit në shpirt.

Jam mirënjohës për të gjithë ata mësues që ende e shohin veten si edukatorë të brezit të ri dhe jo si rrogëtarë që shtyjnë javën.

Jam mirënjohës për të gjithë të krishterët që nuk kanë as frikë dhe as turp të tregojnë se me kë e kanë aleancën shpirtërore dhe që përpiqen qoftë dhe papërsosmërisht të jenë një qiri i ndezur aty ku janë vendosur.

Jam mirënjohës për çdo njeri që ka guxuar të lëvizë për një jetë më të mirë. Emigrimi në Kanada më ka ballafaquar me shumë njerëz që kanë bërë sakrifica për të provuar nëse një jetë më e mirë mund të ekzistojë për ta dhe fëmijët e tyre larg vendlindjes. Të rrish në vend duke ëndërruar që të piqen kushtet nuk është zgjidhja, prandaj pavarësisht se disa ende mund t'i quajnë emigrantët si “tradhëtarë”, unë i quaj heronj.

Jam mirënjohës për të gjitha situatat që kam kaluar, njerëzit me të cilët jam përballuar, librat që kam lexuar, videot që kam parë, podcast që kam dëgjuar. Unë jam person tjetër ende në proçes formësimi për të nxjerrë në pah atë që në të vërtetë unë jam dhe duhet të jem.

Jam mirënjohës për miqtë dhe armiqtë e vërtetë.

Jam mirënjohës për familjen time të papërsosur që më ka besuar drejtimin e kësaj shtëpize, një personi që ende bën gabime.

Jam mirënjohës për familjen e besimit këtu në Toronto që më ka lejuar t'i mësoj rrugët e Zotit, siç unë vetë i kuptoj dhe praktikoj këto 10 vitet e fundit. Dëshira për të ndërtuar një familje sinqerisht të mbledhur rreth të Vërtetës dhe jo rreth njeriut, jo rrallë sjell sfida dhe zhgënjime, por mendoj që nuk ka rrugë më të mirë dhe të qëndrueshme se shtegu Iingushtë në shkëmb.

Mirënjohës Perëndisë që më ka dashur para se unë të dija ekzistencën dhe qëllimet hyjnore dhe më ka hapur sytë të shoh, mendjen të kuptoj dhe frymën të bashkuar me Frymën e Tij përmes rilindjes hyjnore në Krishtin.

Jam mirënjohës!

©Endrit Mullisi

*Endrit Mullisi është Pastor i Kishës Ungjillore Shqiptare të Torontos.