Nuk do ta kemi “Shqipërinë e mendimit” - Nga Aleksandër Çipa
Shqiptarë të nesërm!
Në Atdheun tuaj, ku do lindni ose do të vini si vizitorë në kohën tuaj të ardhme, do të gjeni të munguar shumë, “Shqipërinë e mendimit”.
Këtë Shqipëri e projektuan bij të njohur e të panjohur, të ndritur e të pandriçuar, në kohën e shkuar, por jo të plotë.
E projektuan pjesërisht dhe në hise të ndara, si pazëll i pa lidhur me figurën natyrale, duke na kërkuar ne dhe pasardhësve tanë, të mbërrijmë si të vonuar tek Shqipëria e plotë e mendimit dhe vetëdijes.
Por nuk ia dolëm.
Nuk ia dalim dhe, afër-pas nesh ata që vijnë, ende nuk do t'ia dalin ta bëjnë.
“Shqipëria e mendimit” na mungon se nuk triumfon vetëdija kolektive. Branko Merxhani e artikuloi i pari këtë projekt të duhur, këtë emër të mbrothësuar si ide të atdheut. Por ka mbetur aq sa e ka thënë Merxhani dhe sivëllezërit e tij në mërgime e arrati me kthime. Ka mbetur vetëm dëshirë, por kurrësesi vetëdije.
Pengimtarët e “Shqipërisë së mendimit” kanë rolin e zotërve me dy këmbë dhe me kokë diabolike.
Do të duhej të kishin ndoshta dhe gjymtyrë të tjerë të shtuar, por veç të kishin një kokë njerëzore të lidhur me zemër dhe pa mungësën e vetëdijes. Të kishin një kokë, në pamundësi si të heronjve, së paku si të prindërve të tyre.
Ah sa mrekulli do të ishte ta kishin si idealistët që lanë jetë e ide dhe morën një varr aq sa do ta kenë këta me pasuri për breza dhe mëri sa jetë e ardhme e kombit!
©Aleksandër Çipa





















