Blog

Artistë apo punëtorë partie me fason në fushën e Artit? - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla

Termin “fason” po e huazoj nga rrobaqepësia kur, porositësi i “veprës” p.sh., i një kostumi burrash, iu jep punëtorëve modelin (skicën), materialet (stofin) dhe veglat e punës (makinat qepëse) dhe bie dakord me ta që, për punën e tyre, t’iu japë një shpërblim të caktuar, për çdo njësi prodhimi (kostum).

Të gjithë ne, në kohën e socializmit, ishim punonjës me fason, pavarësisht sektorit ku punonim:

- Partia përgatiste “modelin” ofronte lëndët e para, ato ndihmëse dhe energjitike, dhe ne (punonjësit), po në punishtet e saj, kryenim punën sipas porosisë, qoftë ajo mësimdhënie në shkollë, punë industriale në fabrikë ose veprimtari bujqesore në arë. E njëjta gjë ishte edhe në veprat e artit, ekspozitat, teatrot, filmat, romanet, bile edhe në sport. Kudo ishte i njëjti pronar - Partia, ne të tjeret zbatonim vetëm porositë e saj dhe paguheshim aq sa e gjykonte ajo të arsyeshme (sa për të mbajtur frymën gjallë).

Veçanërisht më e dukshme ishte puna me fason në fushën e Kinematografisë dhe Teatrit. Partia, me sinqeritet, i cilësonte artistët si: “punëtorë-ndihmës të saj, në edukimin komunist të masave”. Çdo fjalë tjetër është e tepërt!

Artistët e vërtetë, përgjatë historisë, kanë qënë ngahera opozitarë me pushtetin, me veset njerëzore; ata e kanë edukuar shoqërinë për ta ngritur intelektualisht, për ta zbutur dhe fisnikëruar shpirtërisht dhe për ta mobilizuar në trasformimin e saj drejt një jete më të mirë. Sigurisht ka pasur edhe artistë oborri.

Sa larg artit të vërtetë janë “fasonistët” tanë edhe pas 32 vjet ndërrimi të sistemit. Lakej dhe puthadorë të pushtetit të radhës, i cili, ç’është e vërteta, për dekorin dhe propagandën e vet, i ka shpërblyer dhe i shpërblen me pensione speciale, me përkujtimore datëlindjesh dhe me varrime ceremoniale. Por të jenë të sigurt, do të harrohen shpejt; do të mbijetojë vetëm Arti i vërtetë!

©Klodi Stralla