Blog

“Artistët” me lopatë në brez - Nga Iva Grillo

Ata janë të bukur, të suksesshëm… por fatkeqësisht të vënë në rresht, si një shpurë besnike e ekzekutorëve të trashëgimisë kulturore të popullit të vet.

Diku shfaqen si kopshtarë me lopatë në brez, diku me rroba kuzhine ku gatuajnë "çorbën e prishur" që pasi e kanë ngrënë vetë ua servirin njerëzve pa vrasje ndërgjegje, e diku tjetër në foto bajate me dhëmbët jashtë neper ahengje, ku shkëlqen nga larg paturpësia e papërgjegjshmëria ndaj publikut që i ka mbeshtetur.

Artistët… ata që duhet të jenë pasqyra e një shoqërie.… pikërisht ata kanë vendosur të shërbejnë si grimiere të një pushteti të lodhur e të korruptuar, me tendenca të frikshme fashiste.

Nuk dihet nëse kjo shpurë është peng i mendjelehtësisë apo i ambicieve të veta profesionale, për të cilat mesa duket mendojnë se u duhet bekimi i sharlatanëve që janë në pushtet.

Të bësh art, do të thote të tregosh ndjeshmëri ndaj të bukures, të vërtetës, të drejtës.

Të besh art do të thotë të kesh dashuri e besnikëri ndaj publikut tënd.

Të bësh art do të thotë të jesh i pari ne vënien e alarmit kur shoqëria është e fjetur dhe e tulatur.

Të bësh art do të thote të jesh një qytetar i ndjeshëm.

Kush pretendon se nuk e sheh batakun ku është futur vendi, nuk meriton të quhet artist por një shërbëtor i rëndomtë i pushtetit.

Një artist i korruptuar, prodhon art të korruptuar!

Unë e refuzoj këtë lloj "artisti"! Unë e refuzoj këtë lloj arti!

Asnjë vëmendje, asnjë klikim, asnjë mbështetje artit të tyre, për aq kohë sa ata mbështesin abuzuesit e pushtetit, në kurriz të publikut të tyre.

Bojkotoni produktin artistik dhe cdo dalje publike të artistëve mercenarë të pushtetit!

Emrat e tyre i dini…

©Iva Grillo

Tagged under Flasshqip.ca Iva Grillo