Blog

Si duhet të sillemi me Greqinë - Nga Milaim Nela

Pajtohem me deklaratën e sotme publike të Dr. Berishës rreth Himarës dhe ngjarjeve të djeshme atje, por do të doja një distancim të tij nga vendimet e qeverisë kur ai drejtonte, sidomos për varrezat e ushtarëve pushtues grekë në territorin shqiptar. Ky ka qenë një veprim shumë i rëndë në kurriz të interesave afatgjata të shqiptarëve.

Me Greqinë sigurisht ne shqiptarëve na interesojnë marrëdhënie të mira se jemi fqinjë, por nëse duhet t’i përmirësojmë këto marrëdhënie, na duhet RECIPROCITET.

Greqia duhet të njohë dhe respektojë të drejtat e popullit Çam që jeton në Greqi!

Greqia duhet të njohë të drejtën e gjuhës dhe shkollimit në gjuhën shqipe të shqiptarëve autoktonë të Greqisë!

Greqia duhet të heqë dorë nga idetë e dominimit Helen si ajo e Megalidhesë dhe çdo ortodoks ta quajë grek!

Greqia duhet të heqë dorë nga helenizimi i Kishës Ortodokse Shqiptare përmes rrjetit të priftërinjëve si Janullatos, që kanë përdorur veladonin e priftit dhe besimin në Zot për helenizimin e popullatës shqiptare.

Greqia duhet të heqë Ligjin e Luftës që t’i hapë rrugë rikthimit të pronave të shqiptarëve të Çamërisë të dëbuar nga andartët grekë pas Luftës së Dytë Botërore.

Pa njohjen e pakicës shqiptare në Greqi nuk mund të ketë marrëdhënie normale mes dy vendeve tona!

Greqia nuk mund të kërkojë shkolla greke në Shqiperi pa hapur shkollat shqipe në Greqi!

Po ashtu ka ardhur koha që të dilet nga niveli i deklaratave dhe të kalohet në platforma dhe veprime konkrete.

Duhet një këshill ambasadorësh njohës të thellë të marrëdhenieve dypalëshe si fjala vjen Shaban Murati e të tjerë që të ndërtojnë një dosje dhe platformë se si këto marrëdhenie të vendosen në binarë të shëndoshë.

Nuk duhet të kompleksohemi e aq me pak të intimidohemi para Greqise kur vjen puna për njohjen e fakteve të pakundërshtueshme historike e sidomos respektimin e të drejtave të bashkëkombasve tanë në Greqi.

Kjo dosje duhet të jetë aty në tavolinën e çdo Presidenti, Kryeministri apo ministri të Jashtëm të Shqipërisë!

RECIPROCITET!

©️Milaim Nela