Blog

Koinçidenca vrastare për një qeveri të dështuar - Nga Ilir Levonja

Pikërisht në dhjetor 2014 një qytetar lushnjar var veten në litar për shkak të faturës së energjisë elektrike. Po më dhjetor 2022, një grua e re ndërron jetë në koridorin e Bashkisë sapo ka dalë nga një takim me kryetaren. Përkon muaji, përkon edhe data. Fundvit i trishtë për një qytet që edhe pse është tronditur nga 1997-ta, nga grupet, nga firot intelektuale, prapë është rimëkëmbur.

Ndofta janë koinçidenca fatale për qytetin, por edhe demaskuese për memorien e një qeverie. Asaj të Edi Ramës, Erion Braçes, Taulant Ballës etj. Madje e tronditur dyfish edhe nga arrestimet thuajse të të gjithë administratës publike, me kryetar, nënkryetar, nënpunës të kadastrës etj., prapë kjo qeverisje lokale ka mbijetuar. Ndërrojnë pozitat dhe detyrat me të deleguar nga lart, kujtojmë të ndjerin Bashkim Fino, pastaj Erionin nevrastenik dhe sot Taulant Ballën, sekretarin politik.

Disa taktika bajate që kanë rezultuar mjaftë të suksesshme për Rilindjen e Edi Ramës, apo PS-në mikse, por jo për qytetin. Kjo edhe për faktin se E Djathta falë frymës liberale dhe mendimit ndryshe del e garon në grupe, veçmas, duke marrë si rezultat ca trasta me mut, ndërkohë që ka dyfishuar informalitetin e kundërshtarit, madje edhe pushtetin absolut të tij.

Pasoja janë të lexueshme dhe tepër ulëritëse, qytetarët vrasin veten, pësojnë atak kardiak, kurse rilindasit vazhdojnë e qeverisin. Dhe ta mendosh që e gjitha kjo për një shumë e cila nuk është asgjë tjetër por lëmoshë. Nesër mund të ndodhë të zbardhen të gjitha debatet dhe do vini re një shpjegim bajat, si, ka tokë zonja, nuk i takon. Në fakt bota rurale e Myzeqesë është totalisht në një informalitet social për shkak të disa praktikave të realitetit.

Mospërputhje midis shpenzimeve dhe fitimit nga prodhimi. Madje ka edhe raste me shumicë ku nuk shesin asgjë. Shumë prej tyre nuk marrin mundin, nuk gjejnë treg, nuk kanë oferta të ndërrmarrjeve të përpunimit. Janë të vënë poshtë nga çfarë vjen nga Maqedonia dhe Serbia, kësisoj detyrohen të ikin në Greqi, Itali e gjetkë. Ata që nuk ikin i lënë djerrë. Ose, dikujt i ikën burri e dikujt djali, vajza..., mbesin vetëm, duan përkrahje nga shteti. Duan lëmoshë. Mirëpo qeveria në vend që të hartojë një plan stimulues, kërcënon, kush nuk e punon tokën, do t'i konsfikohet etj. E kur e punojnë, shfaqet si gogol qeveria dhe u thotë se ka super prodhim.

Aty në Myzeqe i thonë kësaj, keq me qé dhe keq me buaj. Dhe po t'i futesh me themel atij regjistrit të përkrahjes, mos u çudisni kur të gjeni edhe emra që kanë biznese të vegjël, apo shitore të paregjistruara, pasi japin ndonjë kafe diku dhe marrin përkrahje. Mos u çudisni kur të gjeni dhe emra militantësh apo simpatizantë të qeverisë. Se tek ne, që ta dini nuk janë të poshtër vetëm shefat, por edhe kapterët e administrates.

Shoqëria civile e qytetit, forcat opozitare, të mos harrojnë që fatkeqja ishte një protestuese. Dhe si e tillë duhet nderuar. Duhet kuptuar. Duhet protestuar. PS i shpall dëshmorë të atdheut, protestuesit e saj.

©Ilir Levonja