Blog

Flasshqip.ca ju falenderon dhe ju uron Vitin e Ri 2023!

Fund-dhjetori duket se është periudha më e bukur e vitit. Shumica e njerëzve duken entuziastë, me shpresë, të qeshur, madje edhe më pozitivë e bujarë. Është periudha kur kujtojmë ditët, javët dhe muajt që kanë kaluar dhe e bërjes së planeve për vitin që vjen. Dikush vendos objektivat e vitit si për shembull blerja e një shtëpie të re, e një makine, realizimi i një diete, angazhimi në një punë apo shkollë, përmbyllja apo nisja e një projekti të ri. Është një periudhë shkëmbimi energjish pozitive, dhuratash e urimesh. Janë ditët kur njerëzit krijojnë ëndrra dhe ngrenë shpresa për të ardhmen e afërt. Është një periudhë paqeje dhe dashurie në pritje të një viti tjetër.

Festat e fund-dhjetorit na kujtojnë të bëjmë bilancin e vitit që kemi jetuar.

Flasshqip.ca ka shumë falenderime për këtë fundviti.

Falenderojmë lexuesit tanë besnikë që na lexojnë çdo ditë dhe na nxisin të përmirësohemi.

U jemi mirënjohës të gjithë miqve tanë që kanë kontribuar me donacione. E vlerësojmë pafundësisht respektin tuaj ndaj punës sonë vullnetare në shërbim të komunitetit.

Falenderojmë gjithë bashkëpunëtorët krijues që përmes shkrimeve të tyre janë bërë pjesë e rëndësishme e portalit të shqiptarëve të Kanadasë.

Gjithashtu falenderojmë të gjithë të intervistuarit tanë, pjesë e komunitetit shqiptar në Kanada të cilët janë bërë personazhe të rëndësishëm të medias sonë përmes dhënies së modelit të punës së palodhur dhe suksesit.

FlasShqip ju uron përzemërsisht, Gëzuar Vitin e Ri 2023!

I paçi shtëpitë dhe zemrat plot me mirësi!

Me dashuri, mirënjohje dhe respekt,

Jeta dhe Taulant Dedja