Blog

Kolapsi i sistemit shëndetësor kanadez - Nga Fazli Mazreku

Fazli Mazreku - London, Ontario

Në natën e vitit të ri, një 37-vjeçare, nënë e tre fëmijëve, kërkoi ndihmë në shërbimin e urgjencës të qytetit Tindish në provincën Nova Scotia, për shkak se kishte shqetësime dhe dhimbje të forta stomaku. Asaj, përkundër ankesave dhe insistimit për ndihmë për shkak të dhimbjeve të papërballueshme, shërbimi i urgjencës nuk i ofroi ndihmë, madje as shtrat për t’u shtrirë. Pas 7 orësh pritjeje në dhomën e pritjes, për shkak të neglizhencës dhe moskujdesit, pacientja vdiq.

Lajmi për vdekjen e nënës së tre fëmijëve për mungesë dhënieje të ndihmës elementare u be viral në mediat kanadeze dhe shkaktoi pezm dhe mospajtim me politikat shendetësore të Kanadasë, të cilat janë shndërruar në vrastare të njerëzve që paguajnë shumë për shtetin, e marrin shumë pak ose hiç nga sigurimet shendetësore. Ky nuk është rast i izoluar sepse çdo ditë vdesin pacientë, të cilët presin edhe mbi dy vjet për një vizitë te specialisti apo ndonjë ndërhyrje kirurgjikale. 

Gjendja nuk është aspak më mirë edhe në shërbimet e mjekësisë familjare, sepse për një vizitë kërkohet të marrësh takim dhe pritja mund të zgjatë jo më pak se një muaj. Mjekët familjarë janë shndërruar thjesht në përshkrues dhe shpërndarës recetash të barnave dhe asnjëherë nuk humbin më tepër se 5-10 minuta për bisedë me pacientin. Madje, nuk lejojnë që të bëhet pyetje për më shumë se një çështje.

E gjithë kjo gjendje kaotike në shëndetësinë kanadeze, që ka filluar nga vitet 70-të të shekullit të kaluar, është duke u thelluar gjithnjë e më shumë dhe për këtë nuk janë fajtorë mjekët, sepse Kanadaja ka mjekë të rangut boteror dhe mjekësi shumë të avancuar, por politikat shëndetësore të qeverisë federale dhe të qeverive provinciale, që kanë mbetur prapa dhe nuk po përshtaten me nevojat e kohës të popullatës kanadeze.

Kanadaja për çdo vit po sjell gati gjysëm milion imigrantë, në njërën anë, dhe akoma po vdesin pacientët duke pritur deri në 12 orë në shërbimet e urgjencës; Kanadaja po nënshkruan kontrata $20 miliardëshe për blerjen e armatimit të sofistikuar - aeroplanë gjuajtës F-35 - për ushtrinë kanadeze, në një anë, dhe po i lë të moshuarit të vdesin nga mungesa e shërbimeve elementare mjekësore dhe barnave; Kanadaja miraton buxhet prej miliarda dollarësh për rinovimin e ndërtesës së Parlamentit federal, punë që do zgjasë me dekada, në një anë, dhe nuk po i mbulon shpenzimet për mirëmbajtjen e dhëmbëve të fëmijëve të cilët nuk kanë sigurim shëndetësor; Kanadaja po shpenzon miliarda dollarë për rekreacion dhe sport, në një anë, dhe po lejon që nxënësit e shkollave publike të mësojnë në kontejnerë.

Idili për Kanadanë si tokë e ëndrrave për jetë më të mirë, çdo ditë po rrënohet dhe po del në siperfaqe realiteti i hidhur se këtu duhet të punohet shumë, të paguhet tepër shumë për shtetin dhe të merren më pak shërbime prej shtetit, në shëndetësi, edukim apo dhe shërbime të tjera. 

Kjo është Kanadaja. Ky është realiteti. Provojeni ju, ëndërrimtarët e jetës më të mirë përtej Atlanikut!

©Fazli Mazreku