Blog

Ramazani, Rrahmani dhe agjërimi i SPAK për “Ramazan” - Nga Ilir Gjini

Në vendin e skandaleve asgjë nuk përbën më skandal. Ata i lenë vendin skandalit të radhës, ndërsa mediat, në shumicë të kontrolluara nga pushteti, bëjnë ç’është e mundur që skandalin ta paraqesin si ngjarje të zakonshme. Të parëndësishme. Se në një bahçe ku “lulëzojnë ” skandalet, çudia më e madhe nuk zgjat as dy ditë.

Vetëm dy ditë më parë në një aksion të iniciuar nga “elita” e Drejtësisë së Re - SPAK, në fshatin Nikël, ku angazhua me bujë edhe reparti policor elitë RENEA, rezultati qe një vrimë në ujë. Specialët u nisën drejt fshatit Nikël për të arrestuar Ramazan Rrahja-n e dyshuar për atentatin ndaj prokurorit Ndoji, por në vend të Ramazanit, të kërkuarin e policisë, gjetën Rrahmanin, deputetin e partisë që qeveris.

Ky i fundit nuk është një personazh në radhën e karton-ngritësve të Parlamentit. Jo. Është shumë më tepër. Pikërisht Rrahmani, Ҫyrbja që kërcen pas melodisë së fyellit të Shullazit, apo Tom Doshi, janë ata që i japin votat kryeministrit edhe në ato zona ku tradicionalisht kanë votuar djathtas. Policia në vend të monitorimit të territorit dhe parandalimit të krimit, po “monitorohet” nga kamerat e kriminelëve. Dhe qershia në tortë e gjithë kësaj tollovie kriminale është Drejtësia e Re, që me mosveprimin e saj e bën edhe më absurde gjëndjen.

Shikon sesi në inceneratorin e Tiranës nuk digjen mbetje, por groposen para publike. Vështron sesi një pastruese e rrjetave të merimangave, ka “pastruar” edhe 500 mijë euro nga shtëpitë e zyrtarëve që bëjnë tendera dhe nuk lëviz as gishtin. Jo vetëm nuk ka guxim të arrestojë “peshqit e mëdhenj”, por as të bllokojë paratë e taksapaguesve që shkojnë ende për shërbime të pakryera në xhepat e bosëve të inceneratorëve. Në fakt “Drejtësia e Re” po bën shumë më pak se e vjetra.

Krahasoni Gjykatën e sotme Kushtetuese që ndalon opozitën edhe të krijojë komisione hetimore, me Gjykatën Kushtetuese të mëparshmë që rrëzoi më shumë se 14 herë vendimet e qeverisë në pushtet, përfshirë edhe “Marrëveshjen për ndarjen e Detit”, apo Gjykatën e Krimeve të Rënda me SPAKU-n.

Realiteti po tregon se këto organe po dirigjohen nga kryeministri, ndërsa Ambasadorja Kim po bën rolin e suflerit në teatrin absurd shqiptar, kur aktorët harojnë tekstin. Kjo drejtësi e përçunduar ka marrë përsipër edhe asgjesimin e opozitës përmes zvarritjes së qellimshme të procesit gjyqësor, duke e lëne vendin pa opozitë. Dhe në vendin ku krimi është ulur këmbëkryq, SPAK-u është në muajin e “madhnueshëm” të agjërimit.

©Ilir Gjini