Blog

Sekrete të vogla për ditë dimri - Nga Flurans Ilia

Mendoj se shpirti më i plotnuem i kësaj bote efemere është Jezu Krishti. Krishti nuk ishte perëndi, as përpara dhe as pas kryqëzimit. Ai është Njeriu në përmasën më të kulluar të qenies dhe simbolikës njerëzore, ideali i formës më sipërore të ligjërimit, dhe jo vetëm kaq.

Është gjynah që urtësia e tij universale për të përkohshmit devijoi përgjatë shekujve drejt institucionalizimit, dogmës, kultit të vlerës monetare të individit dhe shtetit, gënjeshtrave obskurantiste të inkuizicionit, politikave moderne, hierarkisë së të fortëve, të gjitha këto produkt i materialistikës demoniake të mendjes së njeriut apo një grupi njerëzish të etur për pushtet të cilët e shfrytëzuan njeriun e zhveshur mbi kryq.

Puna e besimit është e mbrujtur me atë farë urtësie të nëndheshme që i nevojitet farës për të çarë poret e ngurta të mosbesimit duke filluar me rrënjët. Mu si fara e drithërave që na jep bukën, rrënja e vreshtave që shuan etjen. Pjesa që mbetet është si puna e filmave në Netflix, liturgjia më e re, ku ti falesh përnatë.

©Flurans Ilia