Blog

Ka ikur koha e shqiponjave me duar, është koha e shqiponjave me zemër - Nga Klodi Stralla

Sa të gatshëm jemi ne, shqiptarët, që interesat tona kombëtare t’i mbrojmë edhe me jetët tona?

Qeverisë të Kosovës po i kërkohet me ngulm nga ndërkombëtarët njohja de jure e Zajednicës, pra një vetqeverim i serbëve në tre komunat veriore të saj. Qeveria Kurti sigurisht reziston sepse i ka të qarta pasojat që do të vijnë prej saj, fillimisht vetqeverim dhe më pas shkëputja dhe bashkimi me Serbinë. Por rezistenca, vetëm duke mos hedhur një firmë në marrëveshje apo duke mos bërë ndryshime në Kushtetutë (si i kërkohet), është e pamjaftueshme. Serbët do të ripërsëritin bllokimin e rrugëve, do ta shpallin vetë Zajednicën, pra do ta bëjnë fakt të kryer. Dhjetori ishte një provë gjenerale për ata.

Çfarë do të bëjë në këtë rast qeveria e Kosovës? Do t’iu drejtohet ndërkombëtarëve të ndërhyjnë ushtarakisht? Ata e kanë paralajmëruar që nuk do të ndërhyjnë veç diplomatikisht. Atëhere? A ka Kosova potencial ushtarak të përballet, e vetme, me Serbinë në një konfrontim të mundshëm? Të gjithë e dinë (edhe ajo vetë e di), se nuk e ka një fuqi të tillë. Si i bëhet atëhere që të mos përsëritet eksodi i 25 viteve më parë?

Kjo varet vetëm nga shqiptarët, kudo ku jetojnë, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës, në Diasporë, por sidomos në Shqipëri (shteti amë) që të unifikojnë qëndrimin e tyre, jo me retorikë boshe nacional-folklorike, por me krijimin e njësive vullnetarësh, të gatshëm të luftojnë në front për të mbrojtur interesin kombëtar. Kush mendon se problemi shqiptaro-serb për Kosovën (por jo vetëm) zgjidhet me bisedime tavolinash, me diplomaci, në rastin më të mirë është naiv dhe miop dhe, në rastin më të keq, buracak dhe hipokrit. Në Histori, Diplomacia ka shërbyer ngahera si pararendëse e forcës!

Sigurisht nuk është e lehtë, por Historia është sfidë. Çdo gjë e dhuruar nga të tjerët, sidomos atdheu, nuk është kurrë i yti. Serbët e kanë bërë të qartë se nuk do ta njohin kurrë Kosovën si shtet sovran. Po shqiptarët çfarë kanë bërë të qartë, se presin t’i mbrojnë ndërkombëtarët duke vrarë djemtë e tyre? Absurde! Në Ukrainë po vriten ukrainas.

Nëse shqiptarët, kudo ku ndodhen, tregojnë seriozisht se janë të gatshëm të përballen, të sakrifikojnë, edhe përballja ka më pak gjasa të ndodhë realisht dhe ndërkombëtarët do t’i llogaritin ata si faktor, sepse prej tyre destabilizohet i gjithë Ballkani.

Ka ikur koha e shqiponjave me duar, është koha e shqiponjave me zemër!

©Klodi Stralla