Blog

Bedelë me qira - Nga Sejdin Cekani

Disa të vetëquajtur të gjithëditur i gjen përditë e çdo natë në gatishmëri pas kuintave të studiove të ndryshme televizive, ku mezi presin të dalin para kamerave. Këta, as më shumë e as më pak, mund të emërtohen si bedelë. Bedelë me qira.

Ata nuk e kanë as për turp e as për gjë të këputin të trasha, deri dhe marrëzi, duke marrë përsipër të flasin me “kompetencë” për dukuri, ngjarje apo zhvillime që u përkasin fushave të ndryshme të dijes, për të cilat, në të vërtetë, duhet të dëgjohen specialistët apo studiuesit.

Drejtuesit e emisioneve nëpër televizione të ndryshme, për shkak të dembelizmit dhe paaftësisë, nuk duan ta vrasin shumë mendjen për të gjetur individë të përshtatshëm dhe e zgjidhin hallin me një telefonatë që ua bëjnë bedelëve “të gjithëditur”, të cilët jepen e merren me qira.

Ndodh shpesh që të njëjtin bedel e sheh paradite duke folur për librin e tij “shkencor” që sapo ka dalë nga shtypi, pasdite llomotit në një studio teksa bën parashikime për ciklonet, në mbrëmje, në një tjetër studio, jep garanci për efektin shkatërrues që ka rakia ndaj kovidit.

Gjatë ditëve të tjera i merr me radhë studiot e tjera ku, po ashtu, e kanë marrë me qira. Dhe vazhdon e flet për tërmetet, për rolin çudibërës të dhallit e gjizës, për çiftëzimin e lepujve të butë, për detyrat që ka shoqëria civile, për terapinë me lëng domateje, për qetësinë që të dhurojnë kafshët shtëpiake, për dobinë e kërcimit, për antropologjinë, për mrekullinë që bën bajga e lopës për rritjen e trangullit bio, për...

Për gjithçka e për çdo gjë.

Këta sharlatanë arrijnë të manipulojnë mendjet e jo pak njerëzve duke bërë “shpjegime” sipas fantazisë së tyre të sëmurë. Ortakë me ta janë bërë ata që i mirëpresin nëpër televizione e studio-tallava.

© Sejdin Cekani