Blog

Big Brother apo Big Bang-u i universit të marrëzisë - Nga Alfons Zeneli

Harxhimi i kohës me ndodhitë e Big Brother është mënyra më efikase për të kryer harakiri intelektuale. Përveç sociologëve dhe psikologëve. Ngarkimi i memories me batutat e Luisit, me llojin e briskut që përdor Bledi apo me datën e menstruacioneve të Kiarës bën fjalë për një recesion të frikshëm mendor.

Kjo gjëmë kolektive ka ndodhur dhe vitet e kaluara por sivjet ka agravuar në mënyrë shumë shqetësuese. Heqja dorë kolektive nga 1000 problemet ekzistenciale që brejnë shoqërinë dhe atashimi prej dhie në kripë mbi një tufë pseudovipash është gozhda e fundit mbi “arkëmortin” e emancipimit.

Nuk ka tjetër kuptim fakti që një tufë humanoidësh organizohen në protestë për një anëtar të shtëpisë prej ku kutërbojnë antivlerat. Tentativa për të zbuluar se çfarë reaksioni psikik ka ngjarë në kafkat e protestuesve kur i kanë dhënë karar idesë për tê protestuar, tentativa për të zbuluar si ka gjeneruar në mendimet e tyre motivi i protestës, është një ekuacion që do të çonte në dorëheqje çdo sociolog dhe psikolog të kësaj dynjaje. Një gjë e tillë, me gjasë, nuk ka ndodhur kurrë në histori që nga koha e zinjanthropus-it.

Kur pyeta dikë se në cilën fushë është VIP njëra prej banorëve, më thanë se ka qënë tek emisioni Përputhen. Vetëm kaq do i mjaftonte çdo druri, guri dhe lope për të kuptuar se në çfarë lllumi dramatik është duke u zhytur dramatikisht dhe pakthyeshëm kopeja e shqiptarëve. Këtu kemi të bëjmë me një model prototip makinerie të ndërtuar enkas për të shembur çdo ngrehinë të mundshme estetike në kokat e çuditshme të popullit tonë heroik.

Kur i tregoja andej nga viti '91 një gazetari danez mbi diktaturën komuniste, ndalonte xhirimin herë pas here dhe pëshpëriste me vete: “it's impossible”. Nuk i besohej se kishin ngjarë vërtet ato që i tregoja. Nuk ia bluante logjika. E njëjta gjë do të ndodhë edhe pas shumë vitesh kur ndonjë pasardhës i yni do i tregojë ndonjë gazetari të huaj se një herë e një kohë shqiptarët e rraskapitur deri në kufijtë e mbijetesës protestuan për të drejtat e Luisit të Big Brother.

© Alfons Zeneli