Në emër të “lirisë së shtypit” - Nga Sejdin Cekani
Shtypi i lirë ka mision, ka edhe pushtet. Kur keqpërdoret e shpërdorohet ky “pushtet”, atëherë humbet besueshmëria e misionit dhe e nocionit të vetë lirisë. Si parakusht për të pasur një shtyp vërtet të lirë është edhe përzgjedhja e gazetarëve. Ata duhet të jenë jo vetëm profesionistë, por edhe individë me integritet e me skrupuj - jo me skrutë (krenari kokëboshe).
Për fat të keq, mjedisi ynë i ndotur mediatik është kthyer në habitatin më të përshtatshëm ku zbrazin rropullitë lloj-lloj perversësh, intrigantësh, manipulatorësh, shpifësish profesionistë e ordinerë, gojëndyrësh, lehësish, pëllitësish, psikopatësh, gjysmanalfabetësh, furacakësh, teleshmanësh e mujsharësh.
Këta pseudogazetarë janë individë që shiten e blihen për pesë pare. Ata janë bjerraditës, të paaftë e të pazotë, gjysmë të ditur e dembelë që duan të përfitojnë privilegje padrejtësisht e me çdo kusht. E kur nuk ia dalin me gënjeshtra, me lajka e mashtrime, nisin e bëjnë shantazh. Nëse nuk ia dalin edhe kështu, atëherë bubërrojnë skutave, mbledhin gjithë vrerin e helmin e qenies së tyre gjenetikisht të deformuar, manipulojnë fakte e të vërteta dhe me pafytyrësi shpifin, fyejnë, përbaltin, mallkojnë, përndjekin e përbetohen duke iu drejtuar pikërisht atyre port(h)aleve që kanë për pronarë “derra të kënaqur” që e ushqejnë babëzinë e tyre me zhvatje e gjoba të majme.
Pikërisht këta tipa, që kinse janë në mbrojtje të interesave të publikut dhe informimit me korrektësi, në të vërtetë nuk e kanë për gjë ta shpërdorojnë, ta dhunojnë e ta vrasin lirinë e fjalës, të shtypit. Dhe për ta bërë këtë, e kanë gjetur edhe “lëndën e parë” - ata që gjëllijnë nëpër kafene, në seli partish, nëpër zyrat e administratës shtetërore, që përgjojnë nëpër bodrume a pas dyersh. Pra, pikërisht pseudogazetarët gjysmë të shkolluar që ia kanë shitur shpirtin së keqes. Fjala e tyre e dalë prej goje të ndyrë përdoret si kobure e ndryshkur hakmarrjeje për të lënduar e plagosur këdo që nuk u hap rrugë, këdo që mbron interesat e publikut, këdo që kërkon të mbrojë integritetin moral e profesional.
Sepse vetëm prej port(h)aleve ata mund të shqyejnë si hiena e të kafshojnë si qen, ndërkohë që i ka pushtuar ndezullia e mujsharit dhunues dhe lakmia për të përfituar duke shkelur mbi njerëz, parime e vlera.
Këta lloj individësh janë vërtet të papërshkrueshëm, “të denjë” vetëm si personazhe balzakianë.
© Sejdin Cekani