Mjerë ai komb që drejtohet nga gjasmet - Nga Edmond Hasani
Doktor Berisha nuk është konservator. Nuk mund të bëhet, por është politikan dhe si i tillë ndërron kostum kur i vjetërohet ose kur nuk i rri bukur. Doktori është emocional, ndërsa konservatori ështe i ftohtë.
Të jesh konservator do të thotë të jesh serioz e korrekt me familjen, miqtë, elektoratin dhe kundërshtarët. Atdheu fillon nga familja ku Doktori është shembull pozitiv, e unë nuk mund të qaj hallin e të tjerëve, pa patur në rregull familjen time.
Enver Hoxha e luftoi gjithë jetën Konservatorizmin edhe kur kjo rrymë filozofike e politike kish vdekur në Shqipëri. Sot spekullohet me Konservatorizmin për të ardhur në pushtet. Konservator nuk është kurrë militant, por veç elita, e këtu me kokrra janë aristokratët konservatorë, si frute të kultivuar, me ide të qarta nacionaliste, me komunikim njerëzor e të ndershëm me njerëzit dhe kundërshtarët, me program antikomunist, nacionalist e sovranist, por mendje hapur.
Kohët e fundit lexoj e dëgjoj njerëz që i njoh, apo i njoh shumë mirë, të shpallin veten konservatorë me sforco. Nëse nuk ke lindur konservator, do jesh gjithmonë gjasme dhe mjerë ai komb që drejtohet nga gjasmet.
Doktor, uroj që të ketë një kriptokonservatorizëm shqiptar me qitje jo aq të largët në këto kohëra kur ai sulmohet egërsisht nga globalistët perversë dhe themelet e moralit të individit, familjes, shoqërisë dhe atdheut janë dëmtuar keq...
© Edmond Hasani





















