Çfarë e bën një mësues të mirë? - Nga Rob Kore

Më 7 mars, ditën e mësuesit, pati shumë publikime në rrjete për mësues të cilët kanë lënë gjurmë në kujtesën e nxënësve. Mësues matematike, fizikë, kimie, letërsie, të gjuhës, e deri tek mësuesit e kulturës fizike. Në Tiranë, për shembull, Vojo Dervishi ishte një ikonë e mësuesit të fizkulturës. I apasionuar dhe i dedikuar.
Por si çdo fenomen në këtë botë, ekziston edhe ana tjetër e medaljes. Për të qenë realist, kujtoj që kishim dhe mësues të këqinj, të indoktrinuar deri në palcë, të paaftë deri në qesharakë. Pra mësues që na kanë lënë përshtypje jo të mira, apo që janë harruar komplet nga ne.
Në këtë kontekst shtrohet pyetja: Çfarë e bën një mësues të mirë dhe që të mbetet në kujtesë edhe mbas 50-60 vitesh?
Une besoj se kryesori është komunikimi. Aftesia e komunikimit e mësuesit me nxënësin. Mësuesi duhet të njohë shumë mirë psikologjinë e nxënësit. Për shembull, kishte shumë nxënës që kishin frikë kur vinte ora e matematikës. Ishte aftësia e mësuesit t’i bënte këta nxënës të largonin frikën dhe ta bënin nxënësin të interesuar për të ardhur në klasë me dëshirë.
Por mësues i mirë është edhe ai që është një dëgjues i mirë. Kishte mësues që ngjallnin respekt, sepse dëgjonin dhe kuptonin nxënësin. Këta lloj mësuesish ishin bashkëpunues. Kishte mësues kimie që punonin bashkarisht me nxënësin. Në 8-vjeçare kishim një mësues matematike që pasditeve dhe në fundjavë luante futboll me ne. Në klase ishte rigoroz, jashte klasës sillej si shok me ne.
Mësues i mirë është edhe ai që është i adaptueshëm. Mësues që nga qytete të mëdhenj shkonin dhe punonin në fshatra të largët duhet të adaptoheshin me mënyrën e të menduarit të zonës. Këta mësues tregonin empati për nxënësit. Nxënës që vinin nga larg në mes të borës dhe me këpucë që iu fusnin ujë.
Mësues i mirë ishte edhe ai që kishte durim të merrej edhe me nxënësit e dobët apo karakteret e veshtira.
Mësues i mirë ishte edhe ai që kishte njohuri të plota për lëndën dhe që e bënte nxënësin të interesuar të ndiqte mësimin. Ai që sillte në klase edhe tema të tjera letrare, shkencore, tema të teknologjisë se rë, etj. Ky lloj mësuesi e bënte nxënësin aktiv në klasë.
Dhe i fundit, por jo nga rëndësia, ishte shembulli i mësuesit që e bënte nxënësin të mendonte me mendjen e tij.
Ky aspekt mbetet edhe një nga më të rëndësishmit në arsimin e ditëve të sotme. Edhe në Perëndim.
© Flasshqip.ca