Blog

Belindi premtoi transport falas, jo mender falas - Nga Agim Xhafka

Nuk janë bërë as 24 orë që kandidati i PD-së për kryetar bashkie në Tiranë Belind Këlliçi, premtoi se nëse votonin atë banorët e kryeqytetit do të siguronin transport falas. Pra në çdo cep të Tiranës ata do të lëviznin pa paguar, madje dhe me autobuzë cilësorë. Kaq tha, dhe ka filluar një zallamahi sikur ai u premtoi tiranasve se do hanin mender falas. Plot e plot kalemxhinj, militantë të shpifur, mercenarë të kundërshtarëve nuk pushojnë së talluri, së fyeri dhe ngrefosen duke e quajtur çdo fjalë të tij një utopi shumë të kuptueshme.

Së pari, kjo zhurmë kaq masive, e veshur me sarkazëm e tallje, kuptohet që ka një regji qendrore. Pra kampin e “rilindasve”, përveç se e ka zënë në befasi, e ka trembur, nga që si aksion po ze vend te mendja e votuesit. Te votuesi që sheh thuajse çdo javë një autobuz përmbys, që udhëton ngjeshur si sardele, që vapën e provon trefish në urbanët e ngadalshëm e pa kondicionierë. Shto dhe trafikun kaçurrel e qytetarët tashmë me sy e veshë gati nga Belindi të presin shpjegimet e realizimit të këtij premtimi.

Së dyti, kuptohet që ky reagim vjen nga politika e majtë, nuk ka lidhje me banorët e lodhur të Tiranës. Se po qe për tallje e meritonte Rama prej vitesh kur tha se do hapte 300 mijë vende pune, apo kur premtoi që energjinë elektrike familjarët do e paguanin me 6% TVSH, jo me 20%. E se si rrodhën gjërat tashmë e di kurrizi i çdo shqiptari. Pa hyrë te karburanti, te emigrimi, te shpopullimi, te mungesa e mjekëve, te droga që mbillet cep më cep, e te buja që do të kemi 24 orë ujë e që doli që i kemi, por 24 orë ujë në një javë.

Së treti, ky premtim trembi Erion Veliajn që rriti dyfish çmimin e biletës së urbanit e ndërkohë shërbimi zbriti poshtë e më poshtë. Emblema e urbanëve në Tiranë është foto e atij autobuzit që u shtri mbi Lanë së gjëri, tamam si urë këmbësorësh mbi lumin e fekaleve që derdh gjithë Tirana.

Belind Këlliçi premtoi as më shumë e as më pak atë që kanë vite të realizuar në Luksemburg, Estoni, në plot bashki të Francës, në Skoci… E sa përmenden këto vende dalin vibratorët e Lali Erit të na mbushin mendjen se ne s’jemi si ata shtete, duam vite t’i kapim. Ndërkohë Veliaj harron, çdo muaj na e bën Tiranën kryeqytet të Evropës, kampion të globit, qytet me arritjet më të spikatura e tërci e vërci. Pra sipas Lalit qenkemi kryeqytet pararojë, pra ia kalokemi Luksemburgut e Parisit, Skocisë po e po!? Atëhere pse mos bëjmë si ata? Një transport publik falas? Pse?

Se ato para na duhen për t’i vjedhur, të paguajmë gjoja inceneratorët, të paguajmë 24 milionë euro një kilometër autostradë dhe të bëjmë tendera me fitues ata që kanë ofertat më të larta. Pa harruar që mendjen bashkia sot e ka te kullat, paçka se kur mori votat Erion Veliaj premtoi se nuk do bëhet asnjë ndërtim i lartë në kryeqytet.

Belindi premtoi një gjë që vërtet është falas, por nga ajo fitojmë të gjithë. Pastrohet së pari ajri i helmuar në qytet. Tirana sot është krematorium gjigand, ka një ndotje disa fish mbi normat. Po asfiksohemi çdo minutë. E kryesorja, banorët do ndjehen zotër të taksave të tyre. Me urbanët falas do u rikthehen 20 milionë euro nga taksat që kanë paguar, pra nuk do ua vjedhë siç vjedh sot “Rilindja” e Al Kapones.

Belindi premtoi transport urban falas. Një gjë e provuar me sukses, një shërbim efikas ashtu siç e kanë plot e plot vende. Kështu kuptojeni dhe kështu lexojeni, o vibratorë të Lalit. Se votuesit tashmë e kanë aq të qartë sa ju keni të drejtë që jeni në alarm. Dhe prisni, prisni,s’keni parë gjë akoma…

© Agim Xhafka