Blog

Çelësi i Kiblës dhe turistët e politikës - Nga Nador Bakalli

Çelësi i Kiblës së Shenjtë në Mekë, prej mëse 1400 vjetësh, mbahet nga një familje e caktuar. Atyre ua ka caktuar Profeti (sas) të jenë kujdestarët e vendit të shenjtë deri në Ditën e Gjykimit. Askush nuk hyn në të pa lejen dhe pëlqimin e tyre. As sulltanët e djeshëm apo mbreti i sotëm nuk kanë guxuar të zhbëjnë verdiktin hyjnor i cili u përshfaq nëpërmjet fjalëve të Profetit (sas). Ata marrin leje dhe, po ua dha familja, futen. Në të kundërt, askush nuk shkel brenda Kiblës pa pëlqimin e familjes.

Oraret e faljeve gjithashtu janë verdikt hyjnor.

Një ngjarje e padenjë është raportuar sot në ambientet e Xhamisë së Et'hem Beut. Besimtarët nuk janë lejuar të falen në orarin e caktuar sepse xhaminë po e vizitonte një "delegacion".

Kush e ka autoritetin në Shqipëri të lerë shpirtin e besimtarëve në pritje, në mes të Muajit të Ramazanit, për të akomoduar turistët e politikës? Cili turist politik meriton prioritet përmbi verdiktin hyjnor?

Mua më kanë lënë të pres jashtë Xhamisë Blu (Xhamia e Sulltan Ahmedit) në Stamboll vetëm sepse dyshuan se isha turist dhe nuk lejohej të bezdisja faljen e besimtarëve. Më kanë lënë jashtë edhe në Vatikan, në Kishën e Shën Pjetrit deri sa shërbesa fetare mbaroi.

Askush nuk ka tagër të caktojë prioritetet brenda vendeve të kultit përveç vetë doktrinës fetare.

Në Shqipëri tashmë jemi mësuar të luajmë dhe të tallemi me njerëzit. Por, futja e duarve në caktimet e Zotit nuk shkon dhe duhet bërë kujdes i madh.

Turistët mund të presin. Shpirti i besimtarëve nuk pret!