Blog

Debati publik i Prof. Artan Fugës për Akademinë dhe palaçot e pushtetit - Nga Ylli Manjani

Akademiku profesor Artan Fuga, në përpjekjen e tij për të garuar për drejtimin e Akademisë së Shkencave, po kërkon vetëm mundësi të barabarta, rregulla të ndershme. Po kërkon një garë midis akademikësh dhe jo një garë të paravendosur me politikanë. Asgjë më shumë sesa garë të ndershme brenda akademikëve.

Ndërkohë, profesor Artan Fuga është i vetmi që prej vitesh artikulon dhe debaton me pasion projektin e tij për një Akademi Shkencash të re. Për një Akademi Shkencash të bazuar tek shkenca dhe kërkimi shkencor. Në mënyrë unike, ai ka mbrojtur pikpamjen e lidhjes logjike ndërmjet kërkimit shkencor universitar me Akademinë zyrtare të Shkencave.

Profesori ka ide, ka projekt dhe nuk përton hiç ta mbrojë atë në çdo medium. Është i vetmi akademik që ka një ide, të cilën e njohim dhe ne. Ai është për t'u katapultuar direkt në krye të Akademisë, sepse ai azil nuk ka asnjë produkt. Prej vitesh kështu...

Megjithatë profesori nuk kërkon emërim. Ai kërkon garë. D.m.th. debat, përplasje idesh. Ai beson tek debati mbi idenë, të cilën e artikulon me etikë. Debati publik i profesor Artan Fugës është manual praktik i Etikës së Aristotelit dhe Kantit. Por palaçot ikin nga ideja, ikin nga debati. Fshihen pas pushtetit i cili vret pa mëshirë ide dhe projekte që kërkojnë shkencë. Politika është sot e vetmja shkencë që duhet të sundojë.

Kanë shpikur edhe mjetin. Ligjin. Ata prishin rregullin e garës dhe i hapin rrugë emërimit politik. E kuptoni se ç’po bëjnë?

Ti je në fushë, ke dribluar çdo kundërshtar të ka mbetë portieri dhe arbitri të heq portën. Pra ti s’ke se ku shënon. Ky është ligji që bën pushteti. E bën Petro Koçi, i cili dikur luftonte parimisht për garë, liri e barazi në Partinë Socialiste, ndërsa sot është nismëtar i shtypjes së lirisë e barazisë së garës në Akademi!?

Ky është modeli i “sukesit” në politikë. Turp?

Është pak. Nuk mjafton.

Unë jam me Artan Fugën sepse ndër të tjera, po lufton i vetëm kundër këtij modeli sundimi.

Lëreni Profesorin të garojë! Kaq.

Përndryshe kalojeni edhe atë azil tek ajo VKM e pallateve me mbi 50 vite e jepeni për ndërtim. Në fakt ashtu siç është nuk i duhet as dreqit.

© Ylli Manjani