Blog

Një kambanë në Romë bie për ne - Nga Mehmet Elezi

Mediat nga Roma: Partia e kryeministres Meloni propozon ligj për gjuhën dhe identitetin italian. Projekt-ligji kërkon: ndal fjalëve të huaja në komunikimet zyrtare.  Përndryshe gjobë, nga 5.000 deri 100.000 euro!

Sigurisht gjobat s’janë rruga e duhur. Italia do të gjejë mënyrat e përshtatshme. Por kumti nga projekt-ligji është kambanë. Sidomos për gjuhët e kulturat “e vogla”. Sidomos për ne shqiptarët.

Italishtja është gjuhë e madhe e një kombi të madh, të zhvilluar. I ka dhënë njerëzimit kryevepra planetare.  Italishtja mund të gërvishtet, por pa rrezik ekzistencial. Megjithatë shteti është në këmbë.

Po gjuha jonë e bukur, e lashtë, unike?

Më e rrezikuar se kurrë në historinë moderne.

Nga globalizmi (i pashmangshëm).

Nga integrimet me botën perëndimore (të pashmangshme).

Nga snobizmat e mjera shqiptare.

Nga injorantët e diplomuar që kujtojnë se me përdorë pesë fjalë anglisht, që i dinë edhe lypësit e rrugëve, dëshmojnë kulturë.

Këta të fundit janë njerëz të shtetit. Politikanë, punonjës të medias. Ata që duhet ta mbrojnë të parët shqipen, bash ata e shkelin me këmbë.

E shesin si mall “second hand!”. E shesin te Gabi, si fustan, veshur nga të vdekurit!

Qeveria miraton në heshtje. Akademikët, institutet, katedrat, kundrojnë në heshtje.

Në sistemin shkollor dhemb më fort anglishtja se gjuha kombëtare, shqipja.

“Gjaku ynë i shprishur” po shprishet edhe më.

Ku humb gjuha shqipe, shuhen shqiptarët.

Askush nuk ua bën ADN-në për të thënë: nuk dinë shqip, por janë shqiptarë!

Kambana në Romë gjëmon më fort për ne!

© Mehmet Elezi