Kush mund të quhet fitues i zgjedhjeve vendore? - Nga Klodi Stralla
Kur kjo pyetje bëhet për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare përgjigja nuk ka ekuivoke: fitues quhet ajo parti (koalicion partish) që siguron mbi 50% të deputetëve të Parlamentit dhe formon qeverinë (në rastin shqiptar 71 deputetë). Ndryshe qendron puna me zgjedhjet vendor. Këtu ka dy votime: njëri është nominal (me emër), për kryetarin e bashkisë dhe tjetri me listë shumëemërore për këshilltarët bashkiakë. Prandaj pyetja se kush mund të quhet fitues lë vend për vlerësime evazive. Të dyja palët, pozitë-opozitë, sipas traditës tonë zgjedhore, mund të deklarohen fituese.
Dikush mund të thotë, pa u thelluar, se fitues është ajo parti (koalicion partish) që fiton numurin më të madh të kryetarëve të bashkive dhe të këshillave bashkiakë. Do të ishte kështu nëse bashkitë (61 sipas ndarjes tonë territoriale), do të ishin të të njëjtës madhësi, jo vetëm nga popullsia, por sidomos nga pesha ekonomike (buxheti që kontrollojnë). Kështu Tirana, si bashki kryeqyteti, ka afro 30% të popullsisë së vendit dhe po ashtu një buxhet rreth 250 milion euro, shifër që nuk i afrohet asnjë bashki tjetër.
Pastaj vijnë edhe disa qytete kryesorë si Fieri, Vlora, Durrësi, Shkodra, Elbasani, Korça dhe Gjirokastra ku, të gjithë të marrë së bashku, përbëjnë mbase gjysmën e popullsisë dhe buxhetit bashkiak në rang republike. Prandaj numri 61 nuk duhet parë si shifër numerike, por i ponderuar, d.m.th. sipas peshës që bashkia ka në numër popullsie dhe buxheti. Po ashtu rëndesi ka se cilat bashki kanë kryetarin dhe shumicën e këshillit bashkiak (vendimmarrjen) prej të njëjtës parti (koalicion) dhe cilat i kanë të kundërt, d.m.th kryetarin njëra, këshillin bashkiak tjetra.
Ata që do të deklarohen fitues, duke thënë se fituam kaq apo aq vota në total në rang vendi, kaq apo aq kryetarë bashkie dhe këshilla bashkiakë, do të jenë të ngjashëm me ata që maten me hijen e tyre të mëngjesit.
Kështu, sipas meje, kush fiton kryeqytetin dhe shumicën e bashkive të qyteteve kryesore të lartpërmendur, shoqëruar kjo edhe me shumicën në këshillat bashkiakë (vendimmarrjen) duhet konsideruar si fituesi real i këtyre zgjedhjeve.
© Klodi Stralla