“Mbretërit” janë lakuriq - Nga Vangjush Saro
Vangjush Saro - Vancouver
Shkrimtari i njohur danez Hans Kristian Andersen, që provoi fatin në disa gjini e lloje, shkëlqeu dhe iu mbeti shekujve me përrallat e tij të mrekullueshme. Si në çdo rast kur kemi të bëjmë me një mjeshtër të madh, krijimet e tij më të mira mbeten përherë të lexueshme, sfidante dhe aktuale.
Do të mjaftonin vetëm dy prej atyre perlave që të mbështetet ky mendim; është fjala për gjetje dhe trajtesa artistike model: “Shitësja e vogël e shkrepseve”, ku mjafton flakëza e një fije shkrepseje për të skanuar mjerimin e kohës dhe njëherësh për të thirrur në ndihmë ëndrrat më të bukura; dhe “Rrobat e reja të mbretit”, në fakt një tregim modern, që hedh dritë mbi ekstazën e pushtetit dhe poshtërimin kolektiv, një krijim që mbyt me sarkazëm dhe përqesh me aq elegancë harbutërinë aristokrate dhe çdolloj sjelljeje vanitoze a tepri me taksat e të mjerëve.
Pamje dhe skena si te “Shitësja e vogël e shkrepseve” apo “Rrobat e reja të mbretit” sot janë të pranishme kohë e pa kohë, në çdo vend, në atë dheun tonë më së pari… Në të njëjtën kohë, ato krijime na flasin për personazhe pozitive dhe për vëzhgues symprehtë e të ndershëm që nuk mungojnë asnjëherë; si ai fëmija që guxoi e tha se mbreti ishte lakuriq…
© Vangjush Saro
Tabloja “Mbreti lakuriq” nga Elena Eremenko-Ugolnikova