Blog

“Udhëtimet e Guliverit” dhe debati politik - Nga Agim Baçi

Në romanin “Udhëtimet e Guliverit” të Jonathan Swift, ka diçka ironike, por dhe shumë shpjeguese për atë që ndodh në debatet e sotme politike dhe në çështje të ndryshme publike në shoqërinë tone - në rrëfimin e Swift komplotet politike zbulohen duke ekzaminuar jashtëqitjen e personave të dyshuar se mund të jenë kundërshtarë politikë.

Rrëfimi duket si parashikimi më ogurzi për debatuesit e sotëm, sidomos për debatuesit me profil të gënjeshtërt në rrjetet sociale, të cilët më së shumti e fekalizojnë debatin publik e më pas e shpërndajnë këtë fekalizim siç hedhin plehrat shpesh nga dritarja, pa llogaritur se ku dhe kujt i bien.

Por, a mundet, që të arrish të ndërtosh një debat që synon të mirën publike, duke u marrë me të tilla “ekzaminime banale”, siç ndodh rëndom sot, ku gjithçka mbështetet vetëm në ndërtimin e një profili sa më afër së ligës, përmes përbaltjes dhe shpifjes ndaj atij që nuk mendon si ty, pa mbajtur përgjegjësi për atë që thuhet?

Duhet të pohojmë, se në komunikim publik për çështje të ndryshme, askush nuk mund të kërkojë të jemi në një mendje për atë që besojmë në bindjet tona. Madje, e mira e këtij sistemi, me liri shprehjeje, është e drejta e kujtdo edhe të kundërshtojë dikë tjetër, qoftë dhe pa fuqinë e duhur të logjikës dhe fakteve. Por kurrë e drejta e fjalës nuk duhet të fitojë edhe të drejtën për të fyer dikë...

Cinizmi i paralajmëruar nga Swift për këtë fekalizim të gjykimit publik është vetëm një nga ata parashikime të trishta të letërsisë për përditshmërinë tonë, parashikime të cilave vetëm ne vetë mund t'ia ndërtojmë murin që ky fekalizim fjalësh të mos vërshojë brenda komunikimit dhe gjykimeve tona.

© Agim Baçi