Blog

E megjithatë… “Ne do të fitojmë!” - Nga Klodi Stralla

Në këto tri dekada post diktaturë asnjëherë opozita nuk ka qenë në kushte më të disfavorshme konkurimi sesa është tani, në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Ligjërisht e paqenë (e paregjistruar në gjykatë), ekonomikisht pa fonde (nuk përfitoi asgjë nga shpërndarja e fondeve nga KQZ), politikisht e futur në një koalicion të majtë, diplomatikisht e izoluar nga “miqtë” ndërkombëtarë, me Ramën kryeministër dhe me po atë Kod zgjedhor dhe ndarje territoriale që favorizon dukshëm “Rilindjen”, pa komisionerë të vetët për të ruajtur votat.

Çdo ditë përmenden raste ku qeveria shkel hapur Ligjin zgjedhor për të krijuar avantazhe konkuruese për vete, duke filluar nga rritja e rrogave dhe pensioneve, nga koha televizive për kandidatët, nga vënia e administratës në shërbim të partisë… etj., etj. Avantazhet qeveritare nuk kanë të sosur.

Na u tha se “nuk do të ketë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër”, na u tha se “vendi do të përfshihej, nga Jugu në Veri, nga një valë protestash masive e të pandalshme, që do të kulmonin me mosbindje civile deri në rrëzimin e qeverisë”, na u tha se “Luli ishte e keqja se u ble apo shantazhua nga Rama”, e çfarë tjetër s’na u tha…Të gjitha u harruan. Bile tani po dëgjojmë atë më të freskëtën: “E megjithë këto disavantazhe ne do të fitojmë!”

Lus të mos ndodhë, por do të jetë qesharake dhe fatkeqësi që më 15 maj të dëgjojmë se “zgjedhjet u vodhën” dhe “të përgatitim dokumentacionin dhe provat për t’i ankimuar ato”.

Nëse “Rilindja” do të ishte në gjysmën e disavantazheve që ka sot opozita do të ishte ndezur flakë e gjithë Shqipëria. Këtë e dëshmoi viti i mbrapshtë ’97.

© Klodi Stralla