Blog

Nënshtrimi është përçmim e tallje ndaj vetes - Nga Agim Baçi

Fushatat elektorale shpesh janë edhe një skaner i shoqërisë, jo thjesht për matjen e forcave politike, por për të lexuar nivelin e vetpërmbajtjes së qytetarëve, e respektit ndaj vetes. Por, kur sheh kërcime gjyshesh teksa presin kryeministrin, kur sheh gjyshër që bëjnë be për ish-qeveritarë, duke deklaruar se i duan më shumë sesa nipat e mbesat e tyre, është e vështirë të besosh se qytetarët janë aty për t'i kërkuar llogari të zgjedhurve apo për të bërë ndryshimin. Dhe kur sheh gra e burra në moshë që qeshin dhe duartrokasin kur dëgjojnë nga kreu i qeverisë që u thotë kundërshtarëve politikë se do kenë "noc rrokun", një togfjalësh me konotacion të pastër seksual, apo kur ke burra e gra që besojnë çdo gënjeshtër në emër të qëndrimit apo ardhjes në pushtet, atëherë nuk ke përse të pyesësh se përse politikanët tallen kaq hapur.

Është nënshtrimi, është mungesa e respektit për veten, që i bën këta politikanë të ndjehen padronë të jetëve tona. Është miratimi i gënjeshtrës, është ligjërimi i shpifjes, që u jep krah politikanëve të mendojnë se janë të paprekshëm, se për ta nuk duhet të ketë ligj që t'i ndalojë kur shkelin ligjin, por vetëm tii lërë të lirë të thonë ç’të duan.

Kushdo që ka dëgjuar gjuhën tallëse të Ramës në një intervistë të fundit kupton se fuqia e tij buron nga nënshtrimi që ka parë përballë mosdhënies llogari në dhjetë vite pushtet dhe mosmbajtjes përgjegjësi morale e politike për çdo bashkëpunëtor që akuzohet që ka vjedhur, apo që është dënuar si trafikant apo i korruptuar.

Kushdo që beson se ai që ka qenë dikur pjesë e shkatërrimit të së drejtës apo që ka mbrojtur zullumqarët në shkeljen e ligjit, e sot mund të bëjë ndryshim, atëherë nuk ka pse ankohet nga tallja, e as të ndjehet keq kur të përkundet mbi një krevat shpifjesh e gënjeshtrash.

Ndryshimi nuk nis thjesht nga kërkesa ndaj politikanëve që të jenë të drejtë, por nga të kërkuarit respekt për veten, nga shmangia e duartrokitjes për talljen që na bëhet apo për gënjeshtrat që na thuren.

Ndryshimi nis kur qytetarët kuptojnë se nuk janë të pafuqishëm, pasi po të bëhen bashkë kundër të keqes, asnjë pushtetar jo vetëm që nuk do mund të krenohet që i tall, por do i ketë frikë pas çdo shkelje që do të bëjë.

Është pikërisht mungesa e këtij besimi që kanë qytetarët për votën e tyre, për të qënurit bashkë, që ka lejuar politikanët të sjellin në skenë çdo të fortë, çdo të paaftë, që të besojë se i takon ta drejtojë këtë vend si të dojë. Dhe pikërisht për këtë heshtje ndaj së keqes, shumica e prindërve nuk dinë se si tu flasin fëmijëve, nuk guxojnë tu thonë që të bëhen të ndershëm, që të bëhen të ditur. “Qeveritë kanë inkurajuar çdo të paditur të ndjehet krenar sot me injorancën e tij”, shkruan filozofi dhe gjuhëtari amerikan Noam Çomski. Një postulat që i shkon për shtat qeverisjes së sotme të shqiptarëve, të cilët në emër të përçmimin po tallen me veten.

© Agim Baçi

Tagged under Flasshqip.ca Agim Baçi