Blog

“Injorant” me dashje - Nga Endrit Mullisi

Dëgjova rastësisht në mëngjes në radio një stacion me muzikë Jazz. Po fliste moderatorja për legjenda të Jazz dhe unë dëgjoja i shastisur se nuk njihja asnjë.

Shoh publikime në rrjete për lojtarë futbolli dhe sërish injorant, se nuk kisha dëgjuar për asnjë prej tyre.

Lexoj kalimthi për emra të lakuar nëpër rrethinat apo qendrat shqipfolëse dhe rrallë njoh qoftë politikanët dhe moderatorët që ua rrisin vlerën sa herë që i ftojnë për të dhënë “mend”.

Sa herë që dëgjoja të tjerët të flasin për “Luizët”, më ikte edhe më shumë oreksi kureshtar për të parë atë që shikonin ata.

E pra mbetem injorant me dashje për të gjitha këto e të tjera, siç ndoshta ju vendosni të mos dini mbi fusha për të cilat unë jam i interesuar.

Apostulli Pal shkruante shekuj më parë që gjithçka i lejohej, por jo çdo gjë ishte e dobishme. E thoshte dikush që kishte akses në dy lloj botësh, me dy lloj pasaportash dhe me dije që nuk i kishin njerëzit e thjeshtë.

Ajo që shohim e dëgjojmë pa kuptuar na konfirmon me vetveten. Ajo që duam të bëhemi, asaj i japim vëmendje. Atë që adhurojmë ia dorëzojmë mendimet, kursimet dhe energjinë. Është një cikël në të cilin është më lehtë të hysh sesa të dalësh.

© Endrit Mullisi - Pastor i Kishës Ungjillore Shqiptare, Toronto