Na duhet një sistem i ri - Nga Rob Kore
Në këtë situatë ku jemi sot, nuk na duhen as parti të reja, as njerëz të rinj. Na duhen ide të reja, që do të thotë na duhet të vendosim sisteme të cilët nuk varen as nga partitë dhe as nga njerëzit.
Dikush mund të thotë, partitë e reja do sjellin njerëz të rinj dhe ide të reja. Përgjigja është: Jo domosdoshmërisht.
Kur mungojnë sistemet, d.m.th. kur mungojnë vijat e kuqe, i riu mund të bëhet shumë shpejt më i keq se i vjetri. Gjë që ka ndodhur tek ne. Në këto 32 vjet kemi krijuar me dhjetra parti të reja dhe kemi parë fytyra të reja, të cilat na çuan në harta elektorale njëpartiake.
Një fakt: në Parlamentin e parë shqiptar, kishim 96% njerëz me shkollë të lartë, intelektualë, profesorë, doktorë, ekonomistë, njerëz të jurisprudencës etj. Në parlamentet e fundit kemi injorantë kriminelë me 5 emra, të lidhur me mafien kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në situatën ku jemi sot, nuk duhet të funsionojmë me propozime të tipit utopik: të krijojmë një parti konservatore sa më shpejt dhe t’i zhdukim këta qelbësira. Sepse të krijosh një parti konservatore, nuk është aq e thjeshtë, sikur po ha një akullore. Nuk funksionon kështu bota.
Kur shtetet e qytetëruar ndodhen përballë situatave të vështira, u referohen procedurave se si dilet nga një krizë. Ata përcaktojne si fillim:
1-Cili është problem, çka kërkon një debat të gjatë intelektual, sepse problemi shumë herë ngatërrohet me pasojat. Në këtë rast rrahim ujë në havan dhe nuk zgjidhim asgjë.
2-Mbasi përcaktohet problemi, propozohen edhe rrugët e zgjidhjes, që gjithmonë mund të jenë disa. Nëqoftëse përcaktohet qartë problemi, pra duke e krahasuar me mjekësinë, nëqoftëse përcaktojmë saktë diagnozën, e më tej terapinë (zgjidhjen), atehere simptomat largohen vetvetiu.
Sipas meje, problemi sot tek ne është: drejtuesit tanë qëndrojnë gjatë në pushtet. Çdo problem tjetër është pasojë e këtij fakti. Xhaketat e vjetra, Nano dhe Berisha, bënë shumë gabime, por të paktën vendosën një standard, u larguan pas 8 vjet qeverisjeje dhe as njëri, as tjetri, nuk krijuan harta elektorale njëngjyrëshe. Po të donin mund të qëndronin në pushtet edhe mbas 8 vitesh. Por nuk e bënë.
Rama e prishi këtë rregull. Ai mund të qëndrojë 3-4 mandate, me rezultat final një hartë elektorale njëngjyrëshe dhe me kapje të të gjithë pushteteve.
Një paranteze këtu: nëqoftëse ka njerëz, qoftë edhe nga socialistët, dhe aq më keq dikush nga dy gjysmat e PD, të cilët marrn pozitat e triumfatorit nga harta elektorale e sotme, atëherë s’kemi kuptuar asgjë nga demokracia. Me atë hartë kanë humbur të gjithë.
Le të shpjegojmë nëpërmjet një shembulli se ç’do me thënë sistem që vendos vija të kuqe.
Baballarët e kombit amerikan, kishin studiuar shoqëritë e Greqisë dhe Romës së lashtë. Përveç kësaj ata kishin studiuar dhe psikologji. Nga analizat e këtyre shoqërive, midis të tjerash ata arritën në përfundimin se pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute.
Për këte arsye Amerika ka kufizuar mandatin e presidentit në 8 vjet. Për këtë arsye Amerika ka shpikur zgjedhjet e mesit të mandatit, ku ose Kongresi ose Senati, ose të dy bashkë ndërrojnë kahje. Dhe kur Kongresi ndërron kahje, atëherë presidenti nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveçse të negociojë me Kongresin. Përndryshe Kongresi i vendos veto në gjithçka.
Ky është edhe avantazhi i sistemit amerikan “check and balance”, ku çdo institucion apo individ është i kontrolluar nëpërmjet vetos nga një institucion tjetër. Kushtetuta dhe ky sistem e ka bërë Amerikën Amerikë.
Si konkluzion, edhe Shqipëria, përpara se të krijojë parti të reja, apo përpara se të sjellë njerëz të rinj, duhet të ndalojë dhe të rregullojë sistemin.
Meqënëse politikanët tanë nuk largohen, meqënëse ne nuk jemi të aftë t’i largojmë ata me votë, atëherë ata duhet t’i largojë sistemi.
© Rob Kore





















