Blog

Sovraniteti, instrumentalizimi dhe Konica - Nga Dritan Goxhaj

Në nenin 1pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës thuhet: “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.

Ndërsa në nenin 2 pika 2 thuhet: “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj”.

Këtë kushtetutë përveç popullit të Kosovës e kanë pranuar dhe njohur të gjithë ato vende që e kanë njohur edhe Republikën e Kosovës. Dhe në këtë kushtetutë përcaktohet qartësisht se ushtrimi i sovranitetit dhe mbrojtja e këtij sovraniteti për çdo individ, institucion dhe qeveri është detyrim kushtetues dhe jo një detyrë patriotike të cilën zgjedhim nëse duam apo nuk duam ta kryejmë.

Për herë të parë që pas themelimit të kësaj republike, një qeveri legjitime në Kosovë po ushtron detyrën e saj kushtetuese për të vendosur sovranitetin në tërë hapësirën territoriale të shtetit unik dhe të pandashëm. Them për herë të parë, pasi deri më sot asnjë qeveri tjetër në Kosovë nuk ka tentuar të ushtrojë më parë këtë detyrë kushtetuese.

E di se shumë nga ju që do e lexoni këtë shkrim do më thoni të referohem te veprimet e po të njëjtës qeveri për vendosjen e targave, por ju them që ajo lëvizje e atëhershme nuk kishte të bënte aspak me sovranitetin, por thjesht me implementimin e një marëveshjeje dypalëshe, e cila në vetvete është cënuese e sovranitetit të shtetit të Kosovës, por kjo i përket një teme tjetër të cilën e kam shtjelluar dikur në një shkrim timin.

Tashmë qeveria e Kosovës po ushtron sovranitetin e saj edhe aty ku ai ka kohë që është cënuar rëndë. Qeveria e Kosovës sot po mundohet që t’u shpjegojë shqiptarëve në përgjithësi dhe ndërkombëtarëve në veçanti, se sovraniteti nuk është diçka që mund të ushtrohet as me leje të miqve e as me leje të armiqve.

Por një pjesë e miqve ka kohë që e kanë kuptuar gabim këtë gjë. Ata - Amerikanët që me qeverinë Trump mendojnë se Kosova nuk mund të ushtrojë asnjë detyrim të sajin kushtetues pa i marrë më parë leje atyre - amerikanëve. Ky mentalitet i tyre ndaj Kosovës e hedh poshtë teorinë e partneritetit dhe aleatit, por na sjell sërish në teorinë e vasalitetit.

Partneritetet dhe aleancat ekzistojnë për të mbrojtur interesat e njëri-tjetrit e jo për t’i cënuar ato. Veprimet e palogjikshme të diplomatëve amerikanë qoftë në Prishtinë e qoftë në Uashington kundrejt veprimit sovranist të Qeverisë së Kosovës këto ditët e fundit, tregojnë se ata po e instrumentalizojnë Kosovën dhe problemet e saj thjesht për interesat e tyre gjeopolitike globale. Por instrumentalizimi i kujtdo qoftë dhe i çfarëdo qoftë nuk është bërë ndonjëherë në histori në të mirë të popujve, por vetëm në të mirë të interesave afatshkurtra, të jashtme ose të brëndëshme të atyre që e bëjnë këtë instrumentalizim.

Dhe pas gjithë kësaj palogjikshmërie të diplomacisë amerikanë janë lëshuar edhe një numër i madh i shqiptarëve politikë e jo politikë, patriotë e pseudopatriotë, andej e këndej kufirit.

Dhe e gjithë kjo gjëndje më sjell në mendje një letër të Faik Konicës në vitin 1901 drejtuar një të riu i cili i kërkonte një këshillë për të hapur një gazetë.

Ndër të tjera Faiku, i madh si gjithnjë, i thotë se sido që t’ia bësh e sido që të shkruash, shqiptarët do mbeten të pakënaqur, sepse gjithnjë do e gjejnë diçka që për ta nuk shkon. E kështu edhe me veprimin e parë sovranist të një qeverie në Kosovë, një pjesë e mirë e shqiptarëve të lartpërmendur po shprehin pakënaqësi për veprimin e qeverisë, duke nxjerrë arsye të ndryshme, por ajo më kryesorja është se kështu duan amerikanët, që qeveria të ndërpresë veprimin kushtetues të ushtrimit të sovranitetit.

Por Faiku në fund e këshillon këtë djalin që më mirë të marrë e të shesë një kovë me mut, se do shitet, sesa të mundohet t’iu japë shqiptarëve dinjitet.

Kështu edhe kjo që po ndodh tashti te ne. Politikës shqiptare këndej kufirit me në krye kryeministrin kuisling në Tiranë Ed(vin) Ramën e një tufë analistësh politikë e jo politikë, andej e këndej kufirit, po iu duket më i mirë e më i shijshëm muti që po shesin amerikanët e jo dinjiteti që po mundohet t’iu jape qeveria e Kosovës sot.

Sot shqiptarët në përgjithësi dhe gjithë qytetarët e Kosovës në veçanti duhet të mblidhen rreth Qeverisë së Kosovës, pavarësisht se nga kush drejtohet ai institucion. Sot duhet mbështetur veprimi detyrues kushtetues dhe jo individi në veçanti. Sepse duke mbështetur qeverinë në një veprim sovranist, kemi mbështetur dhe treguar gadishmëri për ruajtjen e këtij sovraniteti për të cilin edhe u derdh shumë gjak ndër dekada.

Uroj që kjo që po ndodh këto ditë të kthjellojë jo vetëm shqiptarët gjithandej, por në veçanti të kthjellojë vetë qeverinë e Kosovës dhe më specifikisht vetë drejtuesin e kësaj qeverie Albin Kurtin, se çfarëdo marëveshje e ofruar deri më sot me Serbinë, është vetëm një kurth për Kosovën. Uroj që ai të kthjellohet e të mos pranojë më të nënshkruajë atë marëveshje që u ofrua në Ohër, pasi ajo në pikën 3 të saj ja heq të drejtën Kosovës të ushtrojë sovranitetin ashtu si po e ushtron këto ditë.

Uroj që këto ngjarje të sherbejnë për të gjithë ne, që më në fund ta lexojmë e ta mësojmë se çfarë do të thotë sovranitet.

P.S. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, SOVRANITET: E drejta që gëzon çdo popull e çdo shtet për të vendosur në mënyrë të lirë dhe të pavarur për çështjet e veta dhe për marrëdhëniet me shtetet e tjera, pa iu nënshtruar asnjë ndërhyrjeje, urdhëri ose kontrolli nga të tjerët. Sovranitet i plotë. Sovraniteti i atdheut. Mbrojtja e lirisë, e pavarësisë dhe e sovranitetit.

© Dritan Goxhaj