Blog

Letër e hapur drejtuar Kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti - Nga Agim Aliçkaj

Diplomatët dhe sanksionet e tyre vijnë e shkojnë, cënimi i sovranitetit dhe integritetit territorial është i pakthyeshëm.

I nderuar Kryeministër Kurti,

E keni zgjedhur rrugën e vështirë, rrugën e ndërtimit të shtetit dhe të lavdisë kombëtare. Të gjithë ne të tjerët, që e duam vendin tonë me zemër dhe e kuptojmë drejt situatën, jemi në shërbim tuajin dhe të qeverisjes suaj të koordinuar me Presidenten Vjosa Osmani dhe me Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca.

Gjëja më kryesore është që të qëndroni bashkë, unikë, dhe mos ta humbni përkrahjen e jashtëzakonshme të më shumë se 75% të popullit të Kosovës dhe më shumë se 90% të Mërgatës, sidomos këtu në SHBA.

Padrejtësia e hapur dhe nënçmimi i shtetit të Kosovës nga zyrtarë dhe diplomatë evropianë dhe amerikanë e ka kaluar çdo kufi, është bërë e pakuptimtë, neveritëse dhe e padurueshme. Dëshira e tyre e kotë për ta shkoqur Serbinë fashiste nga Rusia fashiste me çdo kusht, në kurriz të Kosovës, i ka shëndrruar ata në politikanë të dështuar, por të rrezikshëm për Kosovën.

Këtë mashtrim dhe gënjeshtër serbe po e shtyn me forcë Ambasadorin amerikan në Beograd Christopher Hill, i cili është vënë hapur në shërbim të kriminelit Vuçiq. Kërkimfalja e tij për bombardimin e Serbisë nga NATO për ndalimin e gjenocidit serb mbi shqiptarët është kundër vendimit të Kongresit Amerikan dhe interesave të popullit amerikan. Lidhjet e gruas së Z. Escobar me Beogradin janë shumë të dyshimta. Ndërsa Z. Lajçak nuk është ndërmjetësues, por përfaqësues serb në dialog.

Si shtetas amerikan, më mbuloi turpi, duke i parë kriminelët serbë të dërguar në Kosovë nga kryekrimineli Vuçiç t’i rrahin ushtarët e pafajshëm të NATO-s. Dajakët ndaj tyre ishin shpulla në fytyrat e z. Hill, z. Escobar, z. Lajçak dhe diplomatëve të tjerë që po i ledhatojnë kriminelët serbë. Si shqiptar jam i zhgënjyer dhe i befasuar me përpjekjet e tyre për t’i arsyetuar kriminelët serbë, duke ju fajësuar juve, në vend se të kërkojnë arrestimin e tyre.

Ultimatumi i tyre që t’i plotësoni me zor kushtet e kriminelëve serbë është përzierje flagrante në punët e brëndshme të Republikës së Kosovës dhe i kalon të gjitha normat diplomatike. Kërkesat normale veç i keni plotësuar, i keni paralajmëruar zgjedhjet e parakohëshme në katër komunat dhe e keni pranuar si tërësi Marrëveshjen e Ohrit. Ky është kontribut i jashtëzakonshëm për deeskalim të situatës. Serbia fashiste nuk bën asgjë për deeskalim, vetëm nxjerr kushte dhe këtë ndërkombëtarët e quajnë “sjellje konstruktive”.

Tërheqja e policisë speciale nga pjesa veriore dhe dorëzimi i objekteve shtetërore te bandat serbe do të thotë humbje e sovranitetit. Prandaj forcat e sigurisë është e nevojshme të shtohen, jo të zvogëlohen, derisa kriminelët të zhduken. Krijimi i i çfarëdo asociacioni serb si parakusht, e hap rrugën për parakushte të tjera të pafundme dhe sjell deri te shkatërrimi i shtetit. Këto nuk bën as të konsiderohen.

Ju lutem ta vizatoni një asociacion pa kompetenca ekzekutive, bazuar në Kushtetutën e Republikës, ia jepni fotokopjen z. Escobar dhe z. Lajçak dhe i siguroni se do të fillojë zbatimi në kuadër të marrëveshjes, pasi ta nënshkruajë dhe pranojë Serbia fashiste. Dhe, ua bëni me dije se pjesëmarrja e pakicës serbe në zgjedhje nuk mund të konsiderohet konçension, por është obligim demokratik dhe privilegj. Në të njejtën kohë kriminelët serbë duhet të shkojnë në burg, jo në zgjedhje.

Në seancën dëgjimore historike në Senatin amerikan, të organizuar nga senatori i fuqishëm Bob Menendez, Këshilltari i Departamentit të Shtetit të SHBA, z. Derek Chollet e pranoi zyrtarisht se diktatori serb Vuçiç dhe regjimi i tij janë të ndërlidhur me krimin e organizuar në Serbi dhe Veri të Kosovës.

Në pyetjen e senatorit Menendez se pse edhe pas një viti nuk ka informatë për garanci se asociacioni serb nuk do të shëndrrohet në “Republika srpska”, Zëvendës-Ndihmës Sekretari për çështje Euroaziatike dhe Ballkan, z. Gabriel Escobar nuk kishte kurrfarë përgjigjeje. Deklaratat e tij se asociacioni ka për qëllim integrimin e pakicës serbe në Kosovë është iluzion ose mashtrim me qëllim.

Kjo seancë dëgjimore u bë e mundur në saje të angazhimit të jashtëzakonshëm të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane me në krye figurat historike Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, të Bordit të Ligës dhe të përkrahësve të shumtë të saj. Ne do të vazhdojmë të lobojmë në Washington edhe më me forcë, për kauzën tonë të drejtë. Për të parë pjesën kryesore të seancës dëgjimore mund të klikoni linkun:

https://www.youtube.com/watch?v=pV4gQJfdlxE

Vazhdoni me paraqitje publike të fakteve të cilat e dokumentojnë se Kosova është viktimë dhe Serbia agresor, në shtypin ndërkombëtar dhe ate konstruktiv të vendit, nëse ekziston. Flisni pa u ndalur për çështje me fakte dhe argumente, me aftësi dhe kompetencë që ju i posedoni, siç janë demokracia, mirëqënia, respektimi i të drejtave të njeriut, përfshirja, barazia, ligjshmëria dhe orientimi pro-amerikan.

Deklasojeni kriminelin Vuçiq me fakte për gjenocidin serb, sjelljet e tashme kriminale serbe, përkrahjen e tyre për agresionin rus në Ukrainë dhe orientimin e tyre pro-rus. Merreni me vete në xhep dhe përdoreni sipas nevojës librin e xhepit të Nusret Pllanës dhe Agim Aliçkajt, në të cilin për 20 minuta mësohen krimet 200 vjeçare serbe ndaj shqiptarëve.

Shprehja e mospajtimit me diplomaci dhe respekt për çështje të ndryshme me diplomatët perëndimorë është e drejtë dhe obligim i juaji, sidomos në takime të mbyllura. Ata duhet ta kenë të qartë se nuk mund të kërkojnë lëshime nga ju për t’ia bërë qejfin kriminelit Vuciç, por duhet t’ju bindin me fakte dhe argumente. Ne të tjerët, sidomos në Diasporë e kemi detyrë t’i ekspozojmë, ti kundërshtojmë hapur dhe t'i kritikojmë ata me emër e mbiemër pa marrë parasysh pozitën e tyre.

Ne të gjithë e duam Amerikën me zemër dhe përjetë, por nëse zyrtarët të caktuar amerikanë në pozita momentale, për interesa të ndryshme apo gjeo-politike, i cënojnë interesat e Kosovës të cilën vetë e kanë krijuar, përgjigja jonë duhet të jetë JO pa kurrfarë dileme. Jo me vullnetin tonë. Nëse ata e gjejnë mënyrën të na detyrojnë me zor, është turpi dhe përgjegjësia e tyre historike. Liria është liri dhe nuk mund të konsiderohet borxh ndaj askujt.

Nuk na duhet asgjë miqësia me askend nëse e sakatojmë shtetin. Nëse miku na kërkon ta vrasim veten, nuk duhet ta dëgjojmë sepse nuk është më mik. Nuk na lejohet kurrësesi të shkelim mbi gjakun e 1432 fëmijëve të masakruar nga ushtria terroriste serbe, të qindra-mijëra viktimave civile, mijëra dëshmorëve dhe heronjve të lirisë me në krye komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen e tij martire që e dhanë jetën në mbrojtje të pragut të shtëpisë dhe tokave shqiptare.

Diplomatët vijnë e shkojnë, bashkë me sanksionet e mundëshme, padrejtësitë, interesat dhe tekat e tyre. Por, nëse cënohet sovraniteti dhe integriteti territorial i shtetit, dëmi është i pakthyeshëm dhe i përhershëm. Qëndroni pas vendimit tuaj për të mos ia dorëzuar republikën demokratike bandave kriminale serbe. Këtë mund ta bëni vetëm me ushtri dhe polici të fortë e të përgatitur mirë. Serbia kupton vetëm gjuhën e forcës.

Komuniteti shqiptaro-amerikan është shumë i brengosur dhe i irrituar përtej mase me veprimet e fundit të përfaqësuesve të Departamentit të Shtetit. Efektet e këtij zemërimi do të ndihen shpejt nga zyrtarët amerikanë në afat të shkurtër por edhe në fushatën presidenciale e cila veç sa ka filluar.

Kërkesat për dorëheqjen tuaj për shkak të sjelljes kriminale serbe dhe fajet e të tjerëve janë absurde. Jeni duke punuar me mençuri, trimëri dhe përkushtim në ballafaqim me Serbinë fashiste. Edhe po të donit nuk keni kujt t’ia dorëzoni Kosovën. Pjesa më e madhe e opozitës së Kosovës dhe pozita e Shqipërisë me në Edi Ramën, si dhe përkrahësit e tyre në media janë ndër fajtorët kryesorë që i kanë dhënë dhe po i japin kurajo Serbisë fashiste për të vazhduar me veprime agresive me shpresë të nënshtrimit të Kosovës.

Fati i shtetit të Kosovës dhe ardhmëria e kombit shqiptar varet nga suksesi juaj. Do ta keni mjaft vështirë për një kohë, por të gjithë së bashku do t’ia dalim. Drejtësia mund të vonohet por do të ngadhënjejë mbi padrejtësinë. Fitorja është e jona!

© Agim Aliçkaj