Blog

Ndërkombëtarë, na tregoni çfarë loje po luani! - Nga Milaim Nela

Të gjithë ju që godisni Albin Kurtin vend e pa vend dijeni që nuk po dëmtoni individin Albin Kurti por Kosovën dhe shtetësinë e saj.

Duke e bërë këtë demek në emër të Aleancës me Ameriken ju vetëm se po i bëni shqiptarët ta shohin me sy tjetër këtë Aleancë.

E kjo nuk është as e ndershme as e dobishme.

Europa ka dy vjet që ka caktuar dy negociatorë që nuk janë hiç të paanshëm duke qenë se vijnë nga vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës po dukshëm në këto bisedime janë kundër interesave të Kosovës.

5 shtete nga 27 të Unionit Europian nuk e kanë njohur Kosovën e të dy negociatorët vijnë nga pesëshja.

E papranueshme!

Asnjë argument bindës deri sot nuk na është dhënë se ku i ka shkelur në kallo Albini aleatët.

Gjithçka që është thënë deri tani është që nuk i pyeti kur dërgoi kryetarët e zgjedhur në zyrat shtetërore të shtetit të vet të dalë nga zgjedhjet që ata vetë i kishin njohur.

Asnjë serbi nuk ju prek një fije floku nga Policia e Kosovës.

Asnjë shkelje ligjshmërie nga shteti i Kosovës, zero.

E patolerueshme nga garantët ndërkombëtarë që kjo pjesë e territorit të Kosovës sovranitetin e së cilës ata e kanë njohur me 17 Shkurt 2008 të ngelet shesh veprimi për bandat kriminale të Aleksander Vuçiçit.

Ka 20 vjet që kjo pjesë e territorit të Kosovës është nyje e kontrabandës rajonale e më gjerë.

A ka patur qëllim Perëndimi që kjo pjesë e territorit tèi lihet Serbisë si kërkim falje për ndërhyrjen ushtarake në vitin 1999?

A ishte kjo situatë qoftë edhe e krijuar nga Kurti për të nxjerrë në sipërfaqe fytyrën e vërtetë dhe lojën e fëlliqur e të pandershme të faktorit ndërkombëtar?

A ra dakord dhe ishte gati ta nënshkruajë Kryeministri Kurti Marrëveshjen e Ohrit edhe atë pa njohje finale nga ana e Serbisë?

Pala serbe refuzoi nënshkrimin.

Çfarë masa dhe sanksionesh u morën ndaj Serbisë e Vuçiçit? Zero.

Ajo që unë lexoj nga e gjithë kjo lojë e pistë është që faktori ndërkombëtar nuk e do atë pjesë toke shqiptare nën sovranitetin e Kosovës.

A nuk ju mjaftoi eksperienca e Bosnjes për të njohur qëllimet dhe lojërat e Serbisë me asociacione?

A nuk po ju mjafton ajo që po ndodh në Ukraine për të gjykuar se cili është qëllimi i Serborusisë në Ballkan?

I neveritshëm qëndrimi jo vetëm i Shqipërisë pasi tashmë dihet që kryeministri i saj është lojtar i Aleksander Vuçiçit por për turpin e tyre opozitarët e Kosovës me reagimet langaraqe dhe lepirëse ndaj nderkombëtarëve për një copë karrige pushteti janë bërë vërtet të padurueshëm e të pështirë duke i mbyllur sytë para interesave të vendit të tyre.

Kush do t'ju votojë juve nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme?

Sllovakët? Spanjollët? Apo Blinkeni me Chris Hillin?

Ne po i shohim shumë zara të Perëndimit që vijnë vërdallë për aksione biznesi në Kosovë por Kurti ndryshe nga Ed Rama nuk iu jep aksione mbi pasuritë kombëtare të Kosovës por ka vënë mbi gjithçka interesat e shtetit tē Kosovës.

A mund të ketë bërë gabime? Eshtë e pashmgashme, por askush nuk e akuzon për korrupsion siç janë akuzuar për korrupsion galopant të gjithë paraardhesit e tij në karrigen e kryeministrit të Kosoves.

Këtë normalitet në shetin e ri ballkanik mesa duket ata që duan thela dhe e duan Kosovën si Shqipëria nuk e përtypin dhe durojnë dot e duan ta rrëzojnë me çdo kusht.

Këtu nuk hyn fare ideologjia apo si e ka bërë punën kryeministri dhe qeveria e Kosovës, por përparësi merr interesi jetik kombëtar i vendit.

© Milaim Nela