Korçë, violinë e bukur e Jugut, quo vadis?! - Nga Vangjush Ziko
Kjo pyetje patetike më lindi pasi lexova në shtypin e ditës që Senati i Universitetit të qytetit tim të shtrenjtë ka vendosur ta ndryshojë statusin e vet të pavarësisë dhe të kalojë në vartësi të Universitetit të Tiranës.
Pyetja ime është një perifrazim i Dom Lazër Shantojës, nga shkrimi i tij “Nga Tiranë-Korçë”, i botuar në gazetën “Tomori” në vitin 1941, ku ai, midis të tjerave shkruan mbi mbresat befasuese dhe të paharrueshme, që i kanë lënë bisedat interesante plot njohuri dhe kulturë evropiane moderne me të rinj dhe zonjusha korçare. Shkrimin e tij ai e mbyll me këto fjalë:
“Korçë, vjolinë e bukur e Jugës, cili âsht shpirti i yt?”.
Kjo më kujton dhe Naimin: “Lumja ti, o Korçë...ta paçim përjetë hua!”
Duke e perifrazuar këtë admirues të nivelit avanguardë në kulturë të qytetit tim, shtroj pyetjen: pse po i lejojmë vetes të bëjmë prapa nga traditat genuine kulturore, që kemi arritur dhe trashëguar?!
Tradita e qytetit të Korës në fushën e arsimit është ë njohur kombëtarisht: Mësonjëtorja e parë shqipe, Shkolla e vashave, Gjimnazi në gjuhën greke, Liceu francez, për të mos përmendur rrjetin e shkollave të mesme dhe profesionale gjatë viteve të kaluara, si shkolla e mesme bujqësore apo ajo e muzikës, Institutit Bujqësor, mbi themelet e të cilit lindi Universiteti “Fan S. Noli”...
Bëhet fjalë pra, për një traditë të pasur dhe të vazhdueshme disa shekullore.
Pa pretenduar që të bëj një shqyrtim dhe analizë të shkaqeve, që e shtynë Senatin e Universitetit për të arritur në një vendim të tillë, i cili do të ketë dhe pasojat për vetë universitetin, por, mbi të gjitha dhe në ardhmërinë e nivelit të jetës kulturore të qytetit në shumë drejtime, vetvetiu lind pyetja, a mos po bjerret, po rrëgjohet shpirti arsim e kulturëdashës i qytetit tim?!
Nuk po ia drejtoj këtë pyetje vetëm Senatit të Universitetit, ku kam dhënë edhe unë leksione për disa vite me radhë.
Një traditë është vështirë të lindë, të rritet dhe të trashëgohet, por po aq e menduar, e arsyetuar, e matur dhe me përgjegjësi të lartë është sfida ndaj kësaj tradite.
Kësaj pyetjeje duhet t'i përgjigjen edhe vetë Institucioni administrativ i qytetit, sektorët përkatës të arsimit, kulturës, ekonomisë, biznesi dhe shoqatat e ndryshme, ndërgjegja intelektuale qytetare korçare, vetë “Shpirti i yt, Korçë”!
© Vangjush Ziko





















