Blog

Cila betejë e Kosovës? - Nga Enver Robelli

Ka aq pak burime primare, saqë është e dyshimtë nëse Beteja e Kosovës e vitit 1389 është zhvilluar fare. Këto fjalë i ka thënë Sima Cirkoviçi, një nga historianët e paktë serbë që janë përpjekur të mbajnë pak distancë profesionale ndaj Betejës së Kosovës. Si në pothuaj asnjë betejë tjetër te Beteja e Kosovës vërehet fuqia shkatërruese e kujtesës. Ajo përdoret e keqpërdoret nga ideologët serbë për t’u viktimizuar si popull, për ta shfrytëzuar si beton për forcimin e nacionalizimit dhe hegjemonizmit si dhe për të treguar gjoja superioritet ndaj popujve të tjerë. Për këtë nuk zgjidhen mjete për manipulim.

Çka “dihet” për Betejën e Kosovës është kryesisht prodhim i propagandës së shekullit të 19-të, kur shumë popuj përjetuan zgjimin e tyre kombëtar. Në shekullin e 20-të - me përjashtim të periudhës së sundimit të Titos - miti i Betejës së Kosovës u përdor nga Beogradi për të legjitimuar pushtimet, vrasjet masive, gjenocidin në Srebrenicë dhe krimet gjithandej në Ballkan. Nga ky këndvështrim miti serb i Fushë Kosovës është i rëndësishëm, por jo për nga vlerat, por për nga fuqia e tij destruktive.

Për fatin e Ballkanit më e rëndësishme dhe më vendimtare është Beteja e Dytë e Kosovës e vitit 1448. Asaj i priu hungarezi Janosh Huniadi. Një koalicion katolik kundër një koalicioni islamik. Beteja përfundoi me disfatën e Huniadit. Kjo betejë, shkruan historiani zviceran Oliver Jens Schmitt, e vulosi fatin e Ballkanit, jo ajo e vitit 1389. Ka supozime, por s’ka dëshmi të bindshme që Skënderbeu ka marrë pjesë në Betejën e Kosovës të vitit 1448. E dëshmuar, ndërkaq, është se komandantët serbë nuk morën pjesë në luftën e vitit 1448. Ata tashmë ishin shndërruar në vasalë të Perandorisë Osmane, duke u ndihmuar sulltanëve të pushtojnë Ballkanin.

Që nga shekulli i 19-të ideologët nacionalë serbë e mashtrojnë botën perëndimore se në Fushë Kosovë e kanë mbrojtur krishterimin dhe Perëndimin. E kundërta është e vërtetë, sidomos sa i përket betejës së vitit 1448. Për të diskredituar Huniadin, në epikën popullore serbe pretendohet se Huniadi vonë ka arritur në Kosovë (“Kasno Janko na Kosovo stiže”), pra kur erdhi më 1448 tashmë ishte vonë. Gjithsesi vonë për serbët që tashmë ishin aranzhuar me rolin e vasalëve të sulltanëve.

Konstrukti mitik i Betejës së Kosovës së vitit 1389 e shpalosi krejt fuqinë e mobilizimit politik për aventura të përgjakshme më 28 qershor 1989. Atë ditë qindra-mijëra serbë nga shumë pjesë të Jugosllavisë së atëhershme erdhën në Gazimestan për të shënuar 600-vjetorin e Betejës së Kosovës. Lideri i ri nacionalist serb Sllobodan Millosheviç erdhi në Fushë Kosovë me helikopter. Në fjalimin e tij paralajmëroi hapur luftëra dhe beteja të reja. Para tij qëndroi udhëheqja politike e Jugosllavisë: e frikësuar, oportuniste, demagogjike dhe nënçmuese e rrezikut. Tri ditë më parë, më 25 qershor 1989, në revistën gjermane DER SPIEGEL u botua një intervistë me kritikun letrar kosovar Ibrahim Rugova. Ai i quante kremtimet serbe një “provokim”, një ceremoni “krejtësisht serbe, shoviniste” e njerëzve që ia mësyjnë Kosovës të dehur dhe në disponim për të treguar pallavra me rrahje gjoksi.

Intervista e Rugovës përfundon me këto fjalë të tij: “Nëse Serbia edhe më tutje përpiqet të shtypë identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë kryengritje. Unë vetëm mund t’i paralajmëroj serbët: edhe ata janë një popull i vogël. Sa herë që në të kaluarën një popull i vogël është përpjekur të sillet si fuqi dominuese në Ballkan, kjo ka përfunduar me tragjedinë e atij populli”.

© Enver Robelli