Protestë në Toronto me “fake” shqiptarë - Nga Rob Kore
3-4 miq kemi vendosur të bëjmë një protestë para Konsullatës Amerikane në Toronto, në mbështetje të Kosovës. Meqënëse është 100% e sigurt që shqiptarët nuk vijnë, do bëjmë një trick.
Unë do thërres 5 miq të mi amerikanë. Jam i sigurt se secili prej tyre do sjellë 4 amerikanë të tjerë. Pra 20 persona janë të sigurtë. Iu kërkova mundësisht të më sjellin nja 5 gra, nga ato që protestojnë për abortin dhe që gërthasin me sa zë kanë në kokë. Vetëm ato 5 gra janë sa për 5000 shqiptarë protestues, që në proteste dalin për të bëre xhiro në bulevard dhe diskutojnë për ndeshjen e Champions League në darkë.
Një shqiptar tjetër do thërrasë 20 miq kanadezë. 10 nga këta do jenë kamionistë. Këta 10 kamionistë janë sa për 1000 shqiptarë të tjerë.
Një tjetër do sjellë 20 kroatë dhe boshnjakë. Edhe këta vijnë me gjithë shpirt kundër serbit. Këta bëjnë 1000 shqiptarë të tjerë.
Një tjetër do njoftojë 20 miq indianë. Secili prej tyre do sjellë 50 indiane të tjerë. Kësisoj, do shtohen edhe 1000 shqiptarë të tjerë në protestë.
Pra me 80 të huaj do bëjmë një protestë e cila do bëjë efektin e 8000 shqiptarëve. Do iu japim nga një bluzë të kuqe me shqiponjën në gjoks. Pse nuk është ide e mirë? Ne tërë jetën me kokën ulur kemi pritur nga të huajt të na zgjidhin problemet tona.
Amerikanët thonë: “Fake it until you make it”!
Pra e përkthyer për rastin në fjalë, do nxjerrim në protestë amerikanë, kanadezë, kroatë, boshnjakë e indianë me bluza të kuqe (pra “fake” shqiptarë) derisa shqiptarët të zgjohen dhe të bëhen shqiptarë të vërtetë dhe të mbrojmë çështjet kombëtare.
© Rob Kore - Toronto





















