Blog

Ajo që tolerohet bëhet normative - Nga Endrit Mullisi

Kur Hitleri erdhi në fuqi, çuditërisht nuk pati shumë kundërshtime, sidomos nga kleri. Disa pastorë, si Dietrich Bonhoeffer, jo vetëm e panë se çfarë Hitleri përfaqësonte, por vendosën të kërcitnin gishtat me shpresë që Zoti bënte diçka. Bonhoeffer që ka shkruar një libër sfidues “Çmimi i dishepullizimit” (The Cost of Discipleship), u arrestua dhe u var në litar pak ditë para kapitullimit të Gjermanisë hitleriane.

Sot është më e lehtë për ata që kanë influencë të mos e përdorin kundërshtimin kundra ligësisë, sepse u rrezikon punën, pozicionin, ndoshta dhe jetën. E kuptueshme, kur këto janë parësoret.

Por nëse ju vlerësoni dhe nderoni martirët e të kaluarës, por keni tendencën të bëni siç bënë ata që nuk bënë atë që duhej në kohën e vet, a nuk të kujton kjo fjalët e Krishtit që iu thotë drejtuesve fetarë: “ju jeni si gurët e varreve të lyer bukur nga jashtë, por plot kocka brenda”. 

A nuk e arrestuan të famshmin Gjon Pagëzorin jo për teologjinë që kishte, por sepse guxoi t’i thoshte mbretit që ishte martuar në mënyrën e gabuar?

Ajo që tolerohet bëhet normative. Dhe ne të gjithë që s’bëjmë asgjë kur shohim normat të lëvizin nga themelet, jemi bashkëfajtore me heshtjen tonë.

© Endrit Mullisi - Pastor i Kishës Ungjillore Shqiptare, Toronto