Blog

Kryeministri Rama dukej i çakërdisur - Nga Fazli Mazreku

Kryeministri Rama, i cili deri dje trumpetonte dhe  luftonte për “Ballkanin e Hapur”, dhe i cili akuzonte liderët kosovarë për refuzimin e tyre për mospjesëmarrje, me arsyetim se “Ballkani i Hapur” është projekt serb, për krijimin e “Botës Serbe” dhe hapjen e një vrime për depërtimin rus në Ballkan, tani po vjen në Kosovë dhe po ju rrëfen përrallën e fëmijëve liderëve kosovarë, duke tentuar t’i bindë (sic!) se sa i rëndesishëm është Procesi i Barlinit, proces të cilin të gjitha qeveritë kosovare e kanë përkrahur dhe e kanë konsideruar si të vetmen rrugë drejt integrimit në Bashkësinë Evropiane.

Kryeministri Rama, edhe pse dukej i cfilitur politikisht dhe i dërrmuar moralisht, sigurisht, me rekomandimin e “këshilltarit” të tij nga Kosova, mbrëmë ishte te Klan Kosova, në “Rubikon”, për të shfryrë mllefin, pezmin dhe urrejtjen e tij patologjike që ka ndaj Kryeministrit të Kosovës dhe lidershipit kosovar. Kryeministri Rama dukej sheshit si i çakërdisur, agresiv, i djallëzuar, apo thënë më troç: keqdashës dhe bukëshkalë si gjithmonë ndaj Kosovës, që nuk po e pranon planin serb për defunksionalizimin e shtetit të Kosovës.

I vetmi, dhe i vetmi sukses i tij në Klan Kosova ishte se, moderatori dhe opinionistët qëndronin para tij sikur nxënësit e dobët që nuk janë përgatitur dhe presin ndëshkimin e mësuesit të tyre me shufër në dorë. Dhe këtë e beri Rama, sepse i torturoi për 60 minuta dhe madje nuk iu la vend as në “kazanin” e tij që kundërmon gjithandej në tokat shqiptare.

© Fazli Mazreku - London, Ontario