Blog

Ju që shisni votën, mos ia vini fajin Diasporës - Nga Armenida Qyqja

Nuk janë të pakta rastet kur shqetësimet e shprehura të Diasporës për Atdheun marrin përgjigje ironike dhe akuzuese nga bashkëatdhetarët brenda trojeve shqiptare. Personalisht jam mësuar të mos i marr personale dhe i mirëpres, sepse të paktën një gjëje ia kam arritur: të zgjoj vemendjen e tyre, paçka se ndonjëherë bie pré e replikave të pafundme, siç ndodhi fill pas publikimit në rrjete e në median shqiptaro-kanadeze online Flasshqip.ca të poezisë sime “Shqiperia ç'eshtë e ç'do të bëhet”. 

Mund të tingëllojë ironike, por e falenderoj një nga komentuesit, sepse më dha shkas të shkruaj dy fjalë e t’u përgjigjem hapur, edhe në emër të Diasporës, tërë atyre shpotive e akuzave, si: “E keni braktisur atdheun zonjë, ndaj mos e qani, mos u lodhni kot! Atdheu do vepra!”

Po shumë bukur, për besë! Por ju që ndenjët, çfarë bëtë? Çfarë bëtë me tre mandatet rresht të tre votimeve? Çfare bëtë kur “shteti” rrëzoi Gjykatën Kushtetuese, kur shkriu gjykatat e apeleve nëpër rrethe, kur shembi Teatrin Kombëtar, kur ngriti rrogat e deputetëve, por nuk ngriti as pensionet, as rrogat e punëtoreve e as ndihmën sociale të invalidëve të paktën? Doni të vazhdoj më? 

Të nderuar bashkatëdhetarë, që drejtoni gishtin nga diaspora, Atdheun nuk e braktisin vetëm ata që kanë ikur këtu e tridhjetë vite më parë, apo ata që ikin tani, por edhe ata që rrinë në divanet e tyre nëpër shtëpi, që bëjnë sehir dhe nuk protestojnë, ata që shesin voten për një vend pune. Ndryshojeni pra Shqiperinë, që të kthehet diaspora, të shohë një mundësi punësimi, investimi e jo te ketë frikë se bllokohet që nga dogana e gjer te “gjobat”.

Këta “braktisësit” kanë tridhjetë vite që rropaten dhe mbajnë nga dy shtëpi, atë jashtë dhe atë që kanë lënë pas, se njerëzit që kanë lënë atje, pa ndihmën e tyre mbarojnë. Apo dëshironi të flasim pak për kafenetë, restorantet, hotelet, xhiron e parasë nga hyrjet e daljet e emigrantëve? Kur mbaron sezoni turistik a nuk u bie biznesi të tërëve nga jugu në veri? Edhe pa këtë “patriotizmin sezonal” nuk bëni dot, pa le më tepër...

Po pra, shumë dakort, nuk do fjalë Atdheu, por do vepra! Por fillojeni së pari nga vetja. Boll mbajtët divanet e u shastisët pas telenovelave turke e Big Brother-it. Çfarë prisni? Të vijë diaspora të protestojë, t'ua ndërrojë ajo pushtetaret? E ju, ju çfarë do bëni?

Të nderuar bashkatdhetarë, diaspora mund dhe duhet të bëjë më shumë, por ndoshta po pret një dritë jeshile nga ju, që ju s’po e ndizni kurrë. Rrëzoni të ricilkluarit nga pushteti, vini mbi krye qeverinë që meritoni dhe pastaj thirreni diasporën të kontribuojë me të tëra format.

© Armenida Qyqja - Vancouver, British Columbia