Blog

Ambasadorët e Perëndimit në Beograd e kanë lëkurën të trashë - Nga Shaban Murati

Shënim nga blloku diplomatik

Nuk e di nëse është rastësi që ambasadorët e vendeve kryesore të Perëndimit në Beograd e kanë lëkurën të trashë dhe durojnë çdo lloj sharje dhe shpifje, që presidenti i Serbisë Vuçiç lëshon pothuaj çdo ditë kundër shteteve të tyre.

Nuk kuptohet nëse ata ambasadorë e bëjnë të paktën detyrën flllestare të mbajtjes shënim të çdo qendrimi zyrtar të presidentit serb dhe të autoriteteve kryesore të Serbisë për këtë temë për t’ua referuar ministrive të tyre të Jashtme.

Nuk dihet ende nëse lëkura e trashë e durimit superstoik të ambasadorëve të Perëndimit përballë sharjeve dhe shpifjeve zyrtare të Serbisë kundër vendeve të tyre është porosi e qëndrimit diplomatik nga qendrat përkatëse drejtuese të ambasadorëve të Perëndimit.

Lexoni që të bindeni:

1-Vuçiç tallet me Shtëpinë e Bardhë:

“Kokainë është gjetur në Shtëpinë e Bardhë dhe jo në zyrën e Vulinit!”, (drejtori i agjencisë serbe të spiunazhit i sanksionuar non grata nga SHBA në 11 korrrik 2023).

Deklaratë e presidentit serb Vuçiç në 12 korrik 2023.

2-Vuçiç shan të pesë shtetet e Quintit, (SHBA, Francë, Britani e Madhe, Gjermani dhe Itali):

“Turp të keni të gjithë! I gjithë Quinti, të gjithë ata janë gënjeshtarë!”.

Deklaratë e presidentit serb Vuçiç, 20 prill 2023.

3-Vuçiç shpif kundër të gjithë shteteve të Perëndimit:

“Perëndimi është gjërësisht përgjegjës për shkaktimin e problemeve në Serbi, sepse vendi ynë ka refuzuar t’iu dorëzojë atyre Kosovën në pjatë. Sot mora informacion nga shërbimet informative motra nga Lindja, (Rusia), që më thanë se këto janë pëpjekje të Perëndimit për “revolucion me ngjyrë” në Serbi”.

Deklarate e presidentit serb Vuçiç në 20 maj 2023.

4-Vuçiç tallet me iluzionet e Perëndimit se Serbia do të largohet nga Rusia

Presidenti i Serbisë Vuçiç shkarkon në 11 korrik 2023 nga kabineti i tij qeveritar ministrin e Ekonomisë Rade Basta, sepse ai guxoi t’i sugjerojë qeverisë serbe që të verë në zbatim sanksionet kundër Rusisë, siç ia kanë kërkuar asaj BE dhe SHBA.

Konkluzion: Unë besoj se ambasadorët e Perëndimit në Beograd duhet që të paktën në blloqet personale diplomatike të kenë mbajtur shënim të gjithë koleksionin e sharjeve, talljeve dhe fyerjeve të presidentit serb ndaj shteteve të tyre.

Mund të kuptohet deri në një farë shkalle lëkura e trashë diplomatike e ambasadorëve të Perëndimit në Beograd ndaj poshtërimit zyrtar, që u vjen nga një spurdhjak muzhik i Shumadisë së një mikroshteti.

Nuk e di nëse ambasadorët e Perëndimit në Beograd i kanë bërë vetes pyetjen e thjeshtë: Përse presidenti serb Vuçiç nuk ka sharë, nuk ka shpifur dhe nuk është tallur kurrë dhe asnjëherë me Rusinë, me Kremlinin dhe me presidentin rus Vladimir Putin?

Është e vështirë të kuptohet, se përse krahas lëkurës së trashë, çfaqet gjuha lëpirëse e ambasadorëve perëndimorë në Beograd për “konstruktivitetin dhe për kontributin e presidentit serb” në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Se si nuk i shohin ambasadorët perëndimorë në Beograd provokacionet e njëpasnjëshme për luftë të Vuçiçit kundër Kosovës pesë herë që nga nisja e agresionit ushtarak rus në Ukrainë, se si nuk shohin nga selitë e tyre diplomatike në Beograd që presidenti serb është nxitësi dhe protektori kryesor i aksioneve separatiste të fashistit Milorad Dodik në Bosnje, se si nuk shohin që presidenti serb Vuçiç po destabilizon çdo ditë e më shumë Malin e Zi, anëtar të NATO-s dhe ka sjellë në pushtet forcat fondamentaliste fetare filoserbe dhe filoruse, këto shpjegohen vetëm me sëmundjen e miopisë diplomatike.

Nuk do të ishte hera e parë dhe nuk e mbulon dot etiketa pretencioze se kjo është strategji largpamëse diplomatike. Diplomacia perëndimore dështimin e saj më të madh pas luftës së dytë botërore e ka pasur pikërisht në qendrimin e gabuar ndaj Serbisë së Milosheviçit me tolerancën antihistorike ndaj presidentit fashist serb me mendimin se duke ia ruajtur atij sundimin në Federatën Jugosllave do të sigurohej paqja dhe stabiliteti rajonal.

Tani po rishohim një film të vjetër diplomatik perëndimor me tolerance absurde ndaj ministrit të Milosheviçit dhe vazhdues besnik i veprës se tij kriminale, që është presidenti aktual serb Vuçiç.

Ajo, që mund të thuhet, është se zhgënjimi pritet të jetë i madh për ambasadorët e Perëndimit në Beograd. Realizmi diplomatik u përsërit njerëzve mësimin e madh historik se edhe shtetet e mëdhenj bëjnë gabime të rënda diplomatike dhe gjeopolitike dhe venë jo rrallë baste të gabuara për udhëheqës të ndryshëm në rajone të ndryshme.

Natyrisht nuk janë shtetet e mëdhenj, që paguajnë haraçin e gjakut.

© Shaban Murati - DITA