Blog

Sanksionet ndaj Kosovës, shkelje e të Drejtës Ndërkombëtare - Nga Fazli Mazreku

Sanksionet apo masat e Bashkimit Evropian kundër Kosovës janë instrument i presionit publik ndaj qeverisë së Kosovës dhe nuk janë të përkohshme. Ato pa mëdyshje, kane dy qëllime parësore:

-Të bëjnë presion publik ndaj kryeministrit të Kosovës për ta dobësuar përkrahjen e tij popullore në Kosove dhe në opinionin ndërkombëtar;

-Të bëjnë presion ndaj institucioneve të Kosovës, që në vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, të pranojnë kërkesat serbe të noterizuara nga Bashkësia Ndërkombëtare për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive, në kundërshtim me legjislacionin e Kosoves. Apo të shkohet dhe më larg: ndarja e Veriut të Kosovës përmes mjegullisë ambiguitive, korrigjimi i kufijve, përcaktimi i vijës kufitare, etj., etj.

Megjithatë, siç duket, burokratët evropianë kanë rënë në grackën e njohjes implicite (de facto) të pavarësisë së Kosovës, sepse sanksionet aplikohen ndaj entiteteve ndërkombëtare, apo agjentëve politikë, kulturorë a ekonomikë brenda një subjekti ndërkombëtar.

Loja pa parime dhe imponimi i rregullave të pabarazisë së palëve të pavarura në dialog që po e aplikon Bashkësia Ndërkombëtare është precedent famëkeq i shkeljes së parimeve të të Drejtës Ndërkombëtare.

Kështu po ndërtohet rendi i ri botëror i pasigurisë pa perspektivë dhe po krijohen mundësi peër destabilitet në përmasa botërore, me theks të veçantë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

© Fazli Mazreku